Vangjeli: Paketa fiskale “politike”, përgjigja e parë për protestat e 5 muajve

Aktualitet | 55 minuta më parë

Analisti Lorenc Vangjeli vlerësoi se paketa e re fiskale e propozuar nga qeveria është një masë politike dhe përbën përgjigjen e parë serioze të kryeministrit Edi Rama ndaj protestave që prej pesë muajsh kanë sfiduar qeverisjen e tij.

Në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH24, Vangjeli tha se paketa nuk është as tërësisht e njëra as tërësisht e tjetra, por “një paketë politike”.

“Kjo është përgjigja e parë që Edi Rama… një përgjigje serioze, e drejtë apo e gabuar kjo është një histori tjetër, i jep protestave të cilat kanë pesë muaj që e kanë sfiduar qeverisjen e tij dhe kanë nxjerrë në pah shumë probleme dhe të modelit ekonomik të ndjekur deri tani. Vetëm e parë në këtë mënyrë do të duhej të kuptohet i gjithë ky mekanizëm i propozuar,” deklaroi Vangjeli.

Sipas tij, pa gjykuar tërësinë e masave, paketa përmban një element lëvizjeje të kryeministrit drejt të majtës klasike dhe tradicionale.

Ai theksoi se Rama, si individ, nuk është lidhur kurrë fort me ideologjinë, ka shërbyer shpesh si zëdhënës i të djathtës në Shqipëri (edhe kur është mbuluar me frazeologji të majtë), por tani, për arsye politike, për t’i përgjigjur situatës aktuale dhe për të paralajmëruar zhvillime të mundshme në të ardhmen e afërt, ka ndërmarrë këtë hap.

Vangjeli vuri në dukje dy skaje të paketës. Nga njëra anë, taksimin e të ashtuquajturve super të pasur: pronarët e vilave, ujin e pishinave dhe automjetet e luksit. Ai përmendi detajin e pishinave në bregdetin jugor që “shpesh nëpër festa mbushen edhe me shampanjë”, si simbol të luksit të pasanikëve të rinj, një fenomen që e cilësoi “të tmerrshëm”.

“Një pjesë e madhe e abuzuesve me financat publike apo ata të ardhur nga bota e errët, pra me para të krijuara në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme, edhe shpenzimet i kanë të tilla,” tha analisti.

Nga ana tjetër, Vangjeli vlerësoi heqjen ose uljen drastike të TVSH-së mbi mallrat e shportës. Ai tha se fillimisht dëgjoi kryeministrin të flasë për 6%, ndërsa propozimi aktual është 8% (nga 20% që ishte). Kjo e afron Shqipërinë me nivelet e vendeve të rajonit (Mali i Zi, Serbia, Kosova).

“Me kusht që të ketë kontroll, ndjekje të zbatueshmërisë së saj, mund të çojë eventualisht në ulje të çmimit të produkteve të shportës,” theksoi ai.

Pensionistët, të cilët sipas tij janë ndër më të varfrit dhe konsumojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave për ushqime dhe ilaçe, mund të përfitojnë duke pasur “pak më shumë miell, sheqer, vezë, oriz, makarona, si dhe fruta apo produkte për nipërit e mbesat”.

Në lidhje me skepticizmin se ulja e TVSH-së nuk do të reflektohet në çmime për shkak të informalitetit dhe rritjes së TVSH-së standarde, Vangjeli theksoi se nuk është operacion i thjeshtë.

“Ky nuk është një operacion vetjak, ky nuk është një operacion që një lloj si kirurgu hyn në sallë dhe mund të mendojë që mund të bëjë operacionin me një bisturi të vetme. Kërkohet një set i tërë veglash”, u shpreh më tej Vangjeli.

Ai shtoi se kryeministri duhet ta ketë të qartë se sistemi aktual nuk po funksionon. Sipas tij, ka “një ushtri të tërë me jeniçerë” – inspektorë të llojllojshëm – që ngarkojnë bizneset, ndërsa mendohet se për shkak të informalitetit, mosmbledhjes së taksave dhe evazionit shpenzohen gati 1 miliard euro, që shpërndahen “në mënyrë kapilare” në xhepat e këtyre strukturave.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme