278 Qendra Votimi ende për t’u numëruar, në Lezhë PS-PD në diferencë të ngushtë

Kanë mbetur Qendra e fundit të Votimit për të “vulosur” rezultatin zgjedhor të 11 majit dhe për të zgjedhur përfundimisht ligjvënësit e rinj që do të ulen në karriget e Parlamentit.
Nga 12 qarqe në vend, vetëm Tirana, Fieri dhe Lezha kanë numrin më të lartë të Qendrave të Votimit që kanë ende një numër të konsiderueshëm kutish që do të numërohen.
Në qarkun e Lezhës, diferenca mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është mjaft e ngushtë, çka mund të çojë dhe në një përmbysje rezultati, sikurse ndodhi në Paskuqan, bastion i përhershëm ky i demokratëve.
Qarkut të Lezhës i kanë mbetur 11 Qendra Votimi për t’u numëruar, ndërsa deri mëngjesin e kësaj të marte (13 maj) Koalicioni PD-ASHM ka siguruar 27906 vota, ndërsa PS ka marrë 26601 vota, duke pasur një diferencë vetëm 9% të votave mes njëra-tjetrës.
Qarku i Fierit ka ende 63 Qendra Votimi për numërim, ku deri në këto momente përparësia e PS në këtë qark, kundrejt PD-ASHM, lëviz me një përqindje të lartë. 85949 vota janë hedhur në kutitë e votimit kundrejt Partisë Socialiste, ndërsa vetëm 35358 i kanë besuar të drejtën e votës PD-ASHM.
Një tjetër qark, i cili është edhe më i madhi në vend, që mban edhe numrin më të lartë të Qendrave të Votimit që duhen numëruar, është Tirana.
Ky qark ka ende për të numëruar 182 qendra votimi, ku deri më tani Partia Socialiste ka siguruar 174982 vota, ndërsa koalicioni PD-ASHM ka marrë 129404 vota.
Qarqet ku kanë mbetur ende Qendra Votimi për t’u numëruar:
Shkodër 4 QV
Dibër 1 QV
Durrës 4 QV
Elbasan 3 QV
Korçë 7 QV
Berat 1 QV
Vlorë 1 QV
Gjirokastër 1 QV

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





