Komisioni parlamentar i hetimit të inceneratorëve, përplasje në distancë

Ekonomi | 5 vite më parë

Ndërsa komisioni hetimor parlamentar për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane vazhdon punën, anëtarë të tij shkëmbejnë në distancë replika.

Kryetarja e komisionit deputetja e PD Jorida Tabaku, deklaroi të martën se sipas saj çdo ditë dalin fakte për vjedhjen me inceneratorët.

Ajo përmendi emrat e disa deputetëve socialistë dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë se kanë vjedhur paratë e shqiptarëve dhe kanë pastruar paratë në megaaferën korruptive të inceneratorëve. “Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit”, u shpreh zonja Tabaku. 

Por Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi u shpreh për mediet  se anëtarët e Komisionit Hetimor për inceneratorët nuk duhet të dalin me qëndrime të nxituara.

“Edhe pse kemi theksuar që komisioni duhet të përfundojë punën dhe të dalë me raport, ne anëtarët e komisionit hetimor duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos dalim në përfundime të parakohshme dhe të mos japim pretenca”, tha ai.

Zoti Pëllumbi tha se emergjenca mjedisore që kishim në këto zona nuk ekziston më. “Inceneratori i Fierit është në procesin e kolaudimit, ndërsa Tirana ka shpëtuar nga një gangrenë jo vetëm për Kombinatin, por për të gjithë Tiranën”. “Nga një vend i ndotur gjetëm një vend të lulëzuar dhe të pyllëzuar” tha ai pas kontrolleve në tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Komisioni parlamentar po heton rreth dyshimeve të opozitës për shpërdorimin e 430 milionë eurove. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme