Sa paguan qeveria për rindërtimin?

Ekonomi | 6 vite më parë

 

Këshilli i ministrave ka miratuar financimin me rreth 13 miliardë lekë të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Televizioni shqiptar ka llogaritur se shuma e mësipërme është pjesa kryesore e financimit me para publike për vitin 2021. Në total buxheti do të paguajë rreth 28 miliardë lekë, ose 230 milionë Euro.

Burime nga Këshilli i Ministriave thanë se qeveria ka autorizuar përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën një miliard e pesëqind e gjashtëdhjetë e një milionë lekë, për bashkitë Tiranë dhe Kurbin, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallate), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Bashkitë e Kamzës dhe të Kavajës,në ndërkohë, kanë përfituar nga ky vendim përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore, në masën një miliard e dyqind e njëzet e tre milionë lekë, pa TVSH.

Mbi 530 milionë lekë të tjerë janë planifikuar për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, edhe këto, në bashkitë Tiranë dhe Durrës.

Një tjetër fond i rëndësishëm në shumën mbi dy miliardë e gjashtëqind e shtatë milionë lekë, janë dhënë  nga Qeveria për financimin e rindërtimit të banesave individuale, për ata individë, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para. Kjo shumë do të mund të përdoret nga bashkitë Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin.

Shuma e fundit e dhënë nga qeveria, për bashkitë Kamzë dhe Kurbin, në masën mbi dhjetë milionë e gjashtëqind mijë lekë pa TVSH, këtë herë për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese. Në ndërkohë një tjetër vendim i qeverisë ka ndryshuar rregullat dhe procedurat e përfitimit të grandeve të rikonstruksionit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Masa e grantit për punimet e ambienteve të përbashkëta në pallat do të jetë 100% e vlerës së riparimit nga 50% e vlerës që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Ndryshimet e vendimit lehtësojnë banorët e pallateve të dëmtuara nga investimi i vlerës shtesë mbi grantin e përfituar.

Qeveria shqiptare ka paguar gjatë vitit të kaluar rreth 34 miliardë lekë për rindërtimin. Shumat e mësipërme i shtohen këtij fondi. Nuk ka informacion lidhur me shumat e përdorura nga fondi i donatorëve, kredi apo grante, që në Bruksel shënuan shifrën rekord për Shqipërinë me plot 1,15 miliardë Euro për të eleminuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

 

Tabela e shumave të akorduara nga Qeveria për Rindërtimin, sipas Bashkive

  1. Për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat)

Tirana-       840 575 731 Lekë

Kurbini-      720 685 072 Lekë

  1. Për financimin e pallateve, që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime

Tirana-       168 115 146 Lekë

Kurbini-      144 137 014 Lekë

  1. Për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore

Kamza-       754 430 842 Lekë Plus 150 886 168 Lekë

Kavaja-       468 999 117 Lekë Plus 93 799 823 Lekë

  1. për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit

Tirana-       427 665 000 Lekë

Durrësi-      104 150 000 Lekë

  1. për financimin e rindërtimit të banesave individuale

Tirana-        1 009 040 322 Lekë

Shijaku-      137 592 232 Lekë

Vora-          851 809 204 Lekë

Kurbin-       609 236 132 Lekë

  1. për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese

Kamza-       5 495 037 Lekë

Kurbini-      5 142 500  Lekë


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme