Festivali “Moisiu”, festë e Teatrit Shqiptar, mbahet në Tiranë më 20–27 nëntor

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” do të mbahet në datat 20-27 nëntor në Tiranë.
Ky ballafaqim veprash, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Në fjalën e tyre, drejtuesit e teatrove tona, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeta (Teatri Kombëtar i Kosovës) theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona në fushën e teatrit, ekipeve të brezave, atyre më të rinj dhe më me përvojë, shijeve estetike, takimeve dhe debateve me fokus përmirësimin.

Shfaqjet e festivalit do të kenë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve.

Gjatë takimit të parë në vigjilje të këtij festivali u shpallën edhe anëtarët e jurisë. Vendi pritës, Shqipëria ka një anëtare jurie, aktoren Yllka Mujo, ndërsa miqtë, nga dy anëtarë.

Teatri Shqiptar i Shkupit ka angazhuar aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili.
Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të mbyllet me bashkëprodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit” me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë garës.

Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, në Prishtinë.
Çmimet që do të ndahen në festival janë si më poshtë:
- Shfaqja më e mirë
- Regjia më e mirë
- Aktori më i mirë
- Aktorja më e mirë
- Aktori i dytë më i mirë
- Aktorja e dytë më e mirë
- Aktori i ri ose aktorja e re më e mirë
- Skenografia më e mirë
- Kostumografia më e mirë
- Kompozitori ose kompozitorja më e mirë
- Çmimi i dramës shqipe
- Çmimi i karrierës

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




