Programi “Pas Shkolle”/ Hapet thirrja e tretë për trajnues, Kumbaro: Zgjasim orarin për vitin 2027-të, 5.5 milionë euro financim

Arsim | 60 minuta më parë

Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar ka shpallur thirrjen e tretë për rekrutimin e trajnuesve në kuadër të programit “Pas Shkolle”. Ky hap vjen si përgjigje ndaj kërkesës së shtuar të komunitetit të arsimtarëve dhe prindërve për shtrirjen e kësaj iniciative në më shumë shkolla, si dhe për zgjatjen e fashës orare të qëndrimit të nxënësve në ambientet arsimore.

Ecuria e projektit dhe objektivat e reja financiare u detajuan nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, e cila nëvizoi nevojën për burime shtesë njerëzore me qëllim mbulimin e plotë të orarit të ri.

“Është një program për të cilin janë rritur shumë kërkesat. Ne e nisëm me 408 shkolla në të gjithë Shqipërinë, por kemi kërkesa edhe për më shumë shkolla dhe sidomos për të zgjatur orarin e qëndrimit deri në 17.00 që përkon edhe me oraret e mbarimit të punës për prindërit”, deklaroi Kumbaro, duke shtuar se për mësuesit e angazhuar parashikohet “një shpërblim prej 1000 lekë/ora”.

Sa i përket mbulimit financiar, ministrja bëri me dije se mbështetja buxhetore për këtë iniciativë është e garantuar në afatmesëm.

“Me buxhetin e vitit 2027 kemi siguruar gjithë financimin e nevojshëm, plot 5.5 milionë euro dedikuar programit ‘Pas Shkolle’”, konfirmoi ajo.

Zgjerimi i kornizës arsimore, klube të reja STEM dhe gjuhë të huaja

Përveç shtrirjes gjeografike dhe orare, programi po pëson një ristrukturim përmbajtësor përmes pasurimit të kurrikulës jashtëmësimore. Strukturave ekzistuese—ku përfshihen përgatitja e detyrave të shtëpisë, teatri, kërcimi, artet pamore dhe zejet—do t’u bashkohen module të reja të dedikuara për shkencën dhe komunikimin ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, fusha e aplikimit u është hapur jo vetëm arsimtarëve në sistem ose në listë pritjeje, por edhe mësuesve në pension, profesionistëve të lirë, artizanëve dhe mësuesve të lëndëve STEM e gjuhëve të huaja.

“Të gjithë fëmijëve të arsimit parauniversitar u japim mundësinë për të ndenjur më gjatë në shkollë, për të bërë detyrat e shtëpisë, por edhe për të bërë aktivitete të tjera, të çlirëta, edukative. Është e nevojshme të zgjerojmë programin me module të reja; të shkencës dhe të gjuhëve të huaja do të jenë modulet e reja”, nëvizoi ministrja.

Sipas njoftimit zyrtar, thirrja publike do të qëndrojë e hapur për një periudhë dyjavore në platformën zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar për të gjithë kandidatët që përmbushin kriteret profesionale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme