Zyrtari i lartë iranian: Përgjigjja e SHBA-së ndaj ofertës për armëpushim nuk është bindëse, Ngushtica e Hormuzit nuk do të hapet

Zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran ka deklaruar publikisht se përgjigjja e dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me propozimin më të fundit për armëpushim ka qenë tërësisht e pabinshme për udhëheqjen e Teheranit.
Përmes një reagimi zyrtar të bërë në platformën sociale X, Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohsen Rezaei, ka bërë me dije se Uashingtoni nuk i ka përmbushur pritshmëritë e palës iraniane sa i përket të drejtave dhe kërkesave të saj themelore.
Rezaei nënvizon se Uashingtoni duhet t’u përgjigjet në mënyrë të plotë, të drejtpërdrejtë dhe pa asnjë ekuivok të gjitha kushteve të vendosura nga Irani, si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zbatimin e tyre.
Ai nënvizoi se vetëm pasi kjo të realizohet, pala iraniane do të konsiderojë rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit.
Kushtet e vendosura nga Teherani përfshijnë kërkesa të forta gjeopolitike dhe ushtarake. Irani kërkon një ndërprerje të menjëhershme dhe të përhershme të konfliktit armatosur, çka nënkupton gjithashtu ndalimin e të gjitha me operacioneve ushtarake të Izraelit kundër grupeve Hamas dhe Hezbollah.
Gjithashtu, lista e kërkesave përfshin heqjen e menjëhershme të bllokadës detare e ushtarake të vendosur nga SHBA-ja ndaj Iranit, tërheqjen e plotë të trupave ushtarake amerikane nga rajoni, anulimin e të gjitha sanksioneve ekonomike, si dhe pagesën e dëmshpërblimeve financiare për dëmet e shkaktuara nga lufta.
Së fundmi, Irani këmbëngul që të njihen ndërkombëtarisht rregulloret dhe marrëveshjet e reja të lundrimit detar në Ngushticën e Hormuzit, të cilat do të përcaktohen në mënyrë ekskluzive nga vetë autoritetet iraniane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




