“Bonusi i Rijetësimit” aplikohet prej dy vitesh, në Shkodër 6 aplikime fituese në 2023

Për të dytin vit me radhë Ministria e Kulturës po aplikon Bonusin e Rijetësimit, një program që i vjen në ndihmë monumenteve dhe pasurive kulturore sa i përket mirëmbajtjes, rimëkëmbjes dhe rijetësimit të tyre.
Nga Shkodra ka pasur 21 aplikime gjithsej përgjatë këtyre dy viteve, ndërsa këtë vit 5 objekte janë shpallur fituese nga skema A për mirëmbajtje dhe konservim dhe 1 nga skema B që përfshin restaurimin dhe rijetësimin.
“Një nga objektet që ka përfituar nga skema B ndodhet në bashkinë e Hasit, në qarkun e Kukësit. Ndërsa për Shkodrën, vjet nga 14 projekte të aplikuara, kemi 5 fitues,” thotë Besara Podgorica, drejtuese e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.
Bonusi i Rijetësimit ka pasur një impakt pozitiv në nxitjen e zhvillimit të zonës ku është implementuar.
“Implementimi i Bonusit të Rijetësimit rezultoi mjaft i suksesshëm, ku falë mbështetjes me grante, pronarët të cilët ndodhen në qendrën historike ofrojnë shërbime hotelerie,” shton znjsh. Podgorica.
Aktualisht në Shkodër 4 projekte mund të konsiderohen të përfunduara me sukses.
“Prej këtyre kemi dy që ofrojnë shërbimin e hotelerisë, por së shpejti edhe shërbimin e restorantit dhe të një galerie të vogël të artizanatit të punimeve me filigran,” shpjegon drejtuesja e DRTK-së.
Programi i Bonusit të Rijetësimit në vitin e dytë ka pasur një fond 50% më të lartë se vitin e kaluar. Përfituese mund të jenë objektet që bëjnë pjesë në qendrat historike, ansamblet dhe lagjet brenda mureve të kalasë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




