Ndryshojnë rregullat për rekrutimin e mjekëve në spitalet publike përmes platformës “Mjek për Shqipërinë”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka nxjerrë udhëzimin e ri Nr. 398/1, të nënshkruar nga ministrja Klodiana Spahiu, i cili sjell ndryshime thelbësore në procedurat e punësimit, emërimit, pezullimit dhe disiplinës për mjekët në institucionet shëndetësore publike në Republikën e Shqipërisë.
Akti i ri rishikon afatet e shpalljes së vendeve vakante në portalin elektronik, kushtet e pjesëmarrjes për mjekët që janë tashmë të punësuar, si dhe strukturimin e komisioneve të vlerësimit.
Afatet e reja të aplikimit dhe kushtet për mjekët e punësuar
Sipas udhëzimit të ndryshuar, është përcaktuar një diferencim i qartë sa i përket afateve të aplikimit në platformë sipas profilut të mjekëve:
“Afati i aplikimit në portal për mjekët specialistë/stomatologë është jo më pak se 7 (shtatë) ditë kalendarike nga data e shpalljes së vendit vakant, ndërsa për mjekët e përgjithshëm/mjekët e familjes aplikimi në platformë është i vazhdueshëm.”
Sa i përket kandidatëve që janë aktualisht në marrëdhënie pune në sektorin publik, rregulli bazë ndalon aplikimin e tyre në procedurat e reja të konkurrimit. Megjithatë, udhëzimi parashikon një përjashtim specifik: “mund të aplikojnë për pozicione të lira në spitalet rajonale ose bashkiake mjekët specialistë të punësuar në institucionet publike shëndetësore, të cilët nuk kanë një kontratë me MSHMS-në”.
Komisionet ad hoc dhe rolet e Sekretariatit Teknik
Struktura e vlerësimit të kandidatëve do të përbëhet nga komisione me tre anëtarë, të ndara sipas nivelit të institucionit shëndetësor. Në spitalet rajonale, bashkiake dhe qendrat shëndetësore Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (DQOSHKSH) krijon komisione ad hoc ku përfshihen përfaqësues të DQOSHKSH-së, drejtori i drejtorisë rajonale (DROSHKSH) dhe drejtuesi apo një mjek i institucionit ku ndodhet vendi vakant.
Për mjekët e familjes komisioni rajonal përbëhet nga përfaqësues të DQOSHKSH-së, DROSHKSH-së dhe NJVKSH-së ose qendrave shëndetësore përkatëse, përbërja e të cilit “ndryshohet periodikisht, të paktën një herë në vit”. Ndërsa prsa për spitalet universitare dhe terciare komisionet ngrihen nga vetë titullarët e spitaleve universitare dhe përfshijnë drejtuesin e spitalit, shefin e shërbimit përkatës dhe një përfaqësues të ministrisë.
Njësitë e burimeve njerëzore do të kryejnë rolin e Sekretariatit Teknik të platformës “Mjek për Shqipërinë”. Ato ngarkohen me verifikimin e dokumentacionit, njoftimin e kandidatëve të kualifikuar dhe atyre të skualifikuar duke “specifikuar qartësisht dhe në mënyrë të kuptueshme arsyet e moskualifikimit”, si dhe administrimin e ankesave.
Pezullimi nga detyra
Lidhur me masat disiplinore dhe pezullimin e mjekëve nga detyra, udhëzimi saktëson se “procedura, kohëzgjatja dhe pasojat financiare të pezullimit përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhënien e punës dhe ushtrimin e profesionit të mjekut”. Akti ka hyrë menjëherë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




