Karta e Adriatikut (A-5), Hasani: Shqipëria lojtar kyç në avancimin e aspiratave euroatlantike të rajonit

Politikë | 2 vite më parë

Në cilësinë e kryesisë shqiptare për vitin 2024, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, mirëpriti takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatike (A-5), që shënon dhe përfundimin e kryesisë shqiptare njëvjeçare të kësaj nisme.

Ministri Hasani vlerësoi të premten rolin e Kartës A-5, ndërsa vuri në dukje se në kryesinë shqiptare gjatë vitit 2024 është përforcuar roli i saj, si një lojtar kyç në avancimin e aspiratave euroatlantike të rajonit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, ministri Hasani vlerësoi se ky forum ka dëshmuar vazhdimisht përvojën e tij si një platformë unike për bashkëpunim duke sjellë së bashku 5 vendet anëtare të Kartës A-5 dhe vendet vëzhguese.

“Teksa përfundon këtë vit kryesinë shqiptare, kam kënaqësinë të reflektoj për përparimet që kemi bërë dhe forcën e përpjekjeve tona kolektive. Dua të vlerësoj rolin e paçmuar të SHBA-së në mbështetje të demokracisë e stabilitetit në rajonin tonë. Ne e vlerësojmë partneritetin e tyre të vazhdueshëm”, tha Hasani.

Hasani mirëpriti po ashtu edhe pjesëmarrjen e vendeve vëzhguese si Kosova, Serbia dhe Sllovenia, që, sipas tij, “ilustron frymën e hapjes dhe gjithëpërfshirjes së Kartës”.

“Është pikërisht kjo frymë që mbështet suksesin e bashkëpunimit tonë dhe forcon themelet e angazhimit tonë të përbashkët për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë vendet anëtare dhe vëzhguese për kontributin e tyre gjatë këtij viti. Angazhimi juaj ka qenë i rëndësishëm në formësimin e një plani veprimi produktiv të kryesisë shqiptare për vitin 2024”, tha Hasani në fjalën e tij.

Ai theksoi se “së bashku ne kemi përforcuar rolin e Kartës si një lojtar kyç në avancimin e aspiratave euroatlantike të rajonit tonë”.

Hetim të plotë për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Hasani bëri thirrje edhe për një hetim të plotë për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës. Në fjalën e tij në në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës SHBA-Adriatik (A5) të mbajtur në Tiranë, Hasani u shpreh se, “situata e sigurisë në rajonin tonë ndikohet thellësisht nga agresioni i vazhdueshëm në Ukrainë, i cili ka rritur tensionet në oborrin tonë”.

“Ndikimi keqdashës i aktorëve të jashtëm i përkeqëson këto sfida dhe pasojat ndjehen në të gjithë rajonin. Rëndësia e angazhimit tonë kolektiv ndaj NATO-s dhe angazhimit aktiv të BE-së nuk mund të mbivlerësohet”, theksoi ai.

Në këtë drejtim, Hasani, përsëriti mbështetje e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar të qëndrojmë pranë Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit dhe qëndrojmë me aleatët tanë në thirrjen për mbështetjen e plotë të Ukrainës nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai.

Hasani gjithashtu dënoi sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës, teksa bëri thirrje për hetim të kësaj ngjarjeje.

Në të njëjtën kohë, tha kryediplomati shqiptar, “nuk mund të injorohen zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, të cilat kanë theksuar edhe më shumë kërcënimin e vazhdueshëm të destabilitetit”.

“Sulmi i fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc është një kujtesë e fortë e brishtësisë së paqes në rajon dhe nevojës urgjente për bashkëpunim të forcuar në luftën kundër veprimeve destabilizuese. Ne bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe përgjegjësi të plotë për ata që janë përgjegjës”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se, është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se përgjegjësia për situatën aktuale në Kosovë shtrihet përtej autorëve të drejtpërdrejt. Të gjithë ne kemi një rol vendimtar në ushtrimin e presionit për të siguruar që të ndërmerren veprimet e duhura kundër atyre që janë përgjegjës për këto akte dhune.

“Dështimi për të vepruar me vendosmëri për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, vetëm sa përkeqëson tensionet dhe minon stabilitetin e rajonit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dërgojë një mesazh të qartë se veprime të tilla nuk do të tolerohen dhe se rruga drejt paqes dhe normalizimit është e vetmja zgjidhje praktike”, tha më tej Hasani.

Në takim ishin të ftuar përfaqësues të SHBA-së si dhe ministrat e vendeve të Kartës SHBA-Adriatik: Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si edhe vendeve vëzhguese: Kosova, Serbia dhe Sllovenia, me statusin e të ftuarit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme