Inaugurohet Kneseti i 26-të në Izrael, opozita bashkon votat për zëvendësimin e kryetarit Ohana dhe përgatit paketën ligjore anti-Netanyahu

Lindja e Mesme | 10 minuta më parë

Parlamenti i ri i Izraelit ka nisur zyrtarisht punimet pas betimit të ligjvënësve, në një atmosferë të tensionuar politike ku blloku i partive të udhëhequra nga lideri i Yashar, Gadi Eisenkot, ka ndërmarrë hapat e parë proceduralë për konsolidimin e një shumice të re parlamentare.

Kryetari aktual i Knesetit, Amir Ohana (Likud), njoftoi se votimi për zgjedhjen e pasardhësit të tij do të mbahet të martën e ardhshme në orën 16:00 (ora 15:00 sipas kohës në Shqipëri). Njoftimi erdhi pasi 67 nga 120 anëtarët e Knesetit kërkuan zyrtarisht zëvendësimin e tij, në vijim të marrëveshjes së arritur nga blloku Eisenkot për të mbështetur kandidaturën e Matan Kahana-s. Edhe pse e cilësoi procesin si “të jashtëzakonshëm” dhe shprehu kundërshtim ndaj koalicionit në zhvillim, Ohana deklaroi se do të veprojë “siç kam premtuar për të respektuar vullnetin e shumicës së anëtarëve të Knesetit”.

Në fjalimin e tij para parlamentit, kryeministri në largim Benjamin Netanyahu përsëriti thirrjen për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar për t’iu kundërvënë kërcënimeve rajonale, duke nëvizuar se “e vetmja mënyrë për t’i dhënë end kërcënimit nga Irani është përmbysja e regjimit të Ajatollahëve”.

Udhëheqësi i Likud-it paralajmëroi po ashtu kundër presioneve ndërkombëtare për tërheqje nga pozicionet e sigurisë në Siri, Liban, Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke refuzuar krijimin e një shteti palestinez, i cili sipas tij “nën patronazhin iranian do të ishte edhe më i keq se ai që kemi njohur: qëllimi i tij, padyshim, do të ishte shkatërrimi i Shtetit të Izraelit”.

Fjalimi i Netanyahut nxiti reagime të ashpra nga krerët e opozitës. Lideri i Demokratëve, Yair Golan, e akuzoi kryeministrin në largim se “po gënjen dhe po nxit kundër arabëve për të shmangur dorëzimin e pushtetit”, duke parashikuar se ai “së shpejti do të kalojë nga karrigia e kryeministrit në bankat e opozitës”.

Nga ana e tij, kryeministri i emëruar Gadi Eisenkot e cilësoi fjalimin e Netanyahut si “absurd, përçarës, të urryer dhe të turpshëm”, duke theksuar urgjencën e formimit të një qeverie emergjence kombëtare. Eisenkot pohoi se “jam bërë edhe më i bindur se ai është i papërshtatshëm për të qëndruar në detyrë edhe një minutë më gjatë” dhe konfirmoi tratativat me drejtuesit e tjerë opozitarë — Yair Lapid, Yair Golan, Avigdor Lieberman dhe Naftali Bennett — për përmbylljen e marrëveshjes qeverisëse.

Në ditën e parë të punimeve pas zgjedhjeve të 27 tetorit, blloku i Eisenkot paraqiti gjithashtu një paketë të parë nismash ligjore. Propozimet kryesore përfshijnë ngritjen e një komisioni shtetëror hetimor për ngjarjet e 7 tetorit 2023, si dhe hartimin e një ligji të posaçëm për vendosjen e kufizimit të mandateve në detyrën e kryeministrit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme