Shqipëria denoncon pasivizimin në Medvegjë: Serbia po shkel të drejtat e njeriut dhe pakicave

Tirana zyrtare ka shprehur shqetësim serioz lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Në një njoftim për shtyp, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme thekson se ky akt përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.
“Ky veprim përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe të standardeve për mbrojtjen e pakicave, duke privuar shqiptarët nga qasja në shërbime bazë dhe ushtrimi i të drejtave të tyre themelore. Pasivizimi i adresave nuk është një çështje thjesht ligjore, por ka pasoja mbi jetën e përditshme të shqiptarëve në këtë rajon, duke cenuar të drejtat dhe barazinë e tyre”.
Ministria ka thënë se ka adresuar dhe do të vazhdojë të adresojë këtë çështje në dialogun me autoritetet serbe, si dhe në forume ndërkombëtare.
“Përmes angazhimit të saj të vazhdueshëm, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe pakicave”.
Kujtojmë se mijëra shqiptarëve etnikë nga tri komuna në Serbinë jugore, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, u janë shënjuar adresat si “joaktive” prej autoriteteve të atjeshme serbe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




