Arrestohet në Angli ushtari amerikan me dyshimin për spiunazh në favor të Rusisë

Botë | 1 minutë më parë

Një anëtar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara u arrestua të martën në Angli me dyshimin për veprimtari spiunazhi të lidhur me Rusinë. Aksioni u krye nga policia antiterroriste britanike në qarkun e Gloucestershire, rreth 140 kilometra në perëndim të Londrës.

Sipas njoftimit të Policisë Metropolitane, 41-vjeçari, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur, u ndalua me dyshimin për shkelje të dy neneve të Aktit të Sigurisë Kombëtare 2023. Akuza bazohet në dhënien e ndihmës ndaj një shërbimi të inteligjencës së huaj si dhe marrjen apo zbulimin e paautorizuar të informacionit të mbrojtur. Policia britanike sqaroi se forcat e saj të kundërterrorizmit kanë bashkëpunuar ngushtë me FBI-në dhe ushtrinë amerikane gjatë zhvillimit të hetimeve.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe Drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili e cilësoi aksionin si një “arrestim të rëndësishëm” që lidhet me akuza spiunazhi “të cilat janë shqetësuese për SHBA-në dhe aleatët e saj”. Drejtuesi i hetuesisë federale nënvizoi se “kjo FBI nuk ka tolerancë për askënd që thyen betimin ndaj Shteteve të Bashkuara dhe veprimet e të cilit rrezikojnë sigurinë tonë kombëtare dhe atë të partnerëve tanë”.

I dyshuari u dërgua në paraburgim në një stacion policor në Londër, ndërkohë që agjentët e sigurisë vazhdojnë kontrollet në dy lokacione në zonën e Gloucestershire.

Autoritetet britanike saktësuan se ky hetim nuk ka lidhje me çështje të tjera antiterroriste. Konkretisht, arrestimi nuk ndërlidhet me komplotin e dyshuar terrorist pro-iranian të zbuluar në muajin shtator në bazën ajrore të përbashkët RAF Fairford. Si rrjedhojë e atij kërcënimi të mëparshëm, Forcat Ajrore të SHBA-së kishin tërhequr nga ajo bazë bombarduesit e përdorur gjatë operacioneve ushtarake në konfliktin e Lindjes së Mesme.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme