Mediu nga Elbasani: Grupet e drogës dominojnë pushtetin, të votojmë kundër të keqes

Partia Republikane ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm në Elbasan. Kryetari i PR-së Fatmir Mediu tha se opozita e djathtë duhet të përfaqësohet me profesionistë në zgjedhjet e ardhshme, si mënyra më e mirë për të fituar besimin e njerëzve përballë një pushteti që partner kryesor ka bandat e trafikut të drogës.
“Ne sot nuk jemi një republikë parlamentare kushtetuese, por një republikë kryeministrore, ku Shqipëria shkëmbehet për interesa të caktuara të pushtetit në çdo lloj forme të mundshme. Ajo që është akoma më e keqe, dhe ju jeni dëshmitarë këtu në Elbasan, trafiku i drogës është bërë dominant. Grupet e forta të trafikut të drogës, që kanë paratë, dominojnë dhe politikën. Ata zgjedhin. Ata vendosin. Për fatin e keq, është një marrëdhënie e dukshme, e pranueshme e qeverisjes së sotme. Akoma më tej, për shkak të interesave të pushtetit, nuk ka më as liri, as të drejta dhe as ligje. Këto grupe kriminale, përdoren në bashkëpunim me pushtetin, për të manipuluar zgjedhjet, për të intimiduar votuesit, për të blerë votat, për t’u thënë shqiptarëve që vota juaj s’vlen. Por kur vota s’vlen, jeta jonë nuk vlen, jeta e fëmijëve tanë nuk vlen, sakrifica e prindërve tanë nuk vlen”, tha Mediu.
Në takimin me strukturat e Partisë Republikane në Elbasan, Mediu vuri në dukje nevojën që ka vendi për funksionimin e drejtësisë.
“Shqipëria ka nevojë për drejtësinë e pavarur nga politika, por jo të pavarur nga ligji dhe kushtetuta, që të përdoret në mënyrë okulte”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




