LZHK, Shehi: Përveç Elbasanit dhe Durrësit, edhe në Qarkun e Tiranës të zhvillohet votimi elektronik

Politikë | 2 vite më parë

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar propozon që përveç Elbasanit dhe Durrësit, votimi dhe numërimi elektronik të bëhet edhe në Tiranë. Sipas një dokumenti zyrtar, propozimi i LZHK-së lidhet me një propozim të bërë nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, i cili u propozoi partive votimin elektronik vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit.

Në përgjigjen dërguar KQZ-së nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, propozohet që në qarqet ku mendohet të zhvillohet votimi elektronik për zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë të bashkëngjitet edhe Qarku i Tiranës.

Sipas LZHK-së, Qarku i Tiranës është qarku me peshën më të madhe politike dhe elektorale, kështu që është “domosdoshmëri vendosja e identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në Tiranë.”

“Tirana ofron lehtësi logjistike dhe njerëzore për shkak të terrenit, infrastrukturës rrugore dhe zyrave të KQZ-së që ndodhen në Tiranë. Tirana ka kryer e para modelin pilot të identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, i cili rezultoi i suksesshëm. Votimi dhe numërimi elektronik në Tiranë bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proces të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proces për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve”, argumenton LZHK në shkresën dërguar KQZ-së.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme