Zgjedhjet 2025- KQZ propozoi votimin elektronik në qarqet Elbasan e Durrës, PS: Të shtrihet edhe në Tiranë

Partia Socialiste i është përgjigjur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke i kërkuar që krahas qarkut Elbasan dhe Durrës, votimi elektronik të shtrihet edhe në Tiranë. PS-ja argumenton se votimi elektronik do të sillte lehtësia në procesin e votimit në Tiranë e po ashtu edhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar që, sipas tyre, do të shmangte edhe pretendimet e mundshme për pavlefshmëri nga numërimi i votave.
Një tjetër arsye pse votimi elektronik duhet ët aplikohet në Tiranë, sipas PS-së, është edhe afërsia e KQZ-së me zonat zgjedhore.
“Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votusit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit. Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.
Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces. Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësi për realizimin me sukses të këtij procesi. Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi”, argumenton PS-ja.
Në rast të pamundësisë së KQZ-së për ta shtrirë votimin elektronik në të tre qarqet, për shkak të kohës së pakët në dispozicion, PS-ja propozon që të miratohet qarku i Tiranës si i vetmi ku të realizohet votimi elektronik.
“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik. Për të gjitha arsyet e parashtruata më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik. Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës”, shkruhet në letrën e PS-së.
Ndërkohë edhe LZHK-ja iu përgjigj KQZ-së, duke kërkuar gjithashtu përfshirjen e Tiranës, përveç Durrësit dhe Elbasanit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




