Vizitë disaorëshe në Shqipëri, Meloni dhe Rama inspektojnë kampet e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin

Politikë | 2 vite më parë

Kryeministrja e Italisë, Xhorxha Meloni (Giorgia), ka mbërritur në Shqipëri. Meloni është pritur në aeroportin e Rinasit nga zv.kyeministrja Belinda Balluku. Sipas agjendës Meloni është nisur drejt Lezhës, ku inspektoi kampet e emigrantëve në Gjadër dhe në Shëngjin.

Gjatë vizitës disaorëshe në Shqipëri Meloni shoqërohet nga Ministri i Brendshëm i cili është përgjegjës për menaxhimin e flukseve emigratore. 

Kryeministrja italiane u nis me helikopter drejt Gjadrit, ku iu bashkua edhe kryeministri Edi Rama, me të cilin do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Meloni dhe Rama inspektuan punimet në kampin e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, që janë ngritur nga pala italiane në tokën shqiptare si vend pritës për emigrantët. 

Me qëllim mbarëvajtjen e vizitës zyrtare të Melonit në Shqipëri, Policia dhe Garda kanë hartuar një plan masash. Në disa akse të vendit do të ketë kufizim të qarkullimit të mjeteve.

Italia ra dakord me Shqipërinë ku nënshkroi edhe një marrëveshje për të ngritur një qendër në Gjadër dhe një tjetër në qytetin bregdetar të Shëngjinit për të pritur emigrantët që do të shpëtohen në det nga anijet italiane dhe do të sillen në Shqipëri deri në përpunimin e kërkesave të tyre për azil.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme