Mediu: Opozita e shkërmoqur, duhet të hapet! Rama po e shkatërron më tej

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka deklaruar në RTSH 24 se opozita vijon të gjendet në një pozitë tejet të vështirë për sa kohë ajo është e copëzuar dhe nga ana tjetër, mazhoranca po e shkatërron edhe më tej.
“Qeverisja e vendit lidhet me respektimin e shtetit dhe institucioneve e të zgjedhjeve të ndershme. Nëse qëllimi është shkatërrimi i opozitës që është institucioni i rëndësishëm dhe kjo duket qartësisht që po ndodh. Nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një problem i madh për vendin jo thjesht për opozitën. Kjo kërkon të ketë një koshiencë opozitare për mënyrën e veprimit”, u shpreh Mediu.
Ai theksoi më tej se në opozitë e shohin të gjithë veten kryeministra. Për sa kohë sipas tij, vijon të jetë kjo qasje e fragmentarizuar në radhët e opozitës, atëherë kjo e fundit do të mbetet në këtë gjendje që është sot.
Mediu shpjegoi se opozita duhet të hapet dhe të lidhet me shqiptarët dhe jo ta shohë Parlamentin si vend pune.
“Ka shumë komandantë dhe pak ushtarë. Po të shikosh opozita po prodhon kryeministra. Njëri thotë do të bëhem kryeministër i ardhshëm dhe nuk e dimë kur të mbarojnë 100-vjeçarët. Tjetri thotë “o të rikthehem unë, o s’ka asnjë tjetër” .
Fati i shqiptarëve nuk është i lidhur me fatin tonë, fati ynë është i lidhur me fatin e shqiptarëve. Ne duhet të hapim opozitën në interesin e shqiptarëve dhe jo në interes të liderëve politikë. Copëzimi i opozitës krijon vetëm probleme. Nëse çdo gjë bëhet se kush do të jetë në Parlament duke e parë Parlamentin një vend pune, unë mendoj se është shkatërruese për opozitën”, theksoi Mediu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




