Vota e emigrantëve, një shpjegim i thjeshtë i dallimeve PS-PD, Bylykbashi: Të gjithë të votojnë

Çështja e votës së emigrantëve është ndër më të debatuarat në Grupin e Dialogut mes PS dhe opozitës, por as ajo nuk është një çështje që ka konsensus. Të paktën deri tani. Oerd Bylykbashi, që drejton palën e opozitës në bisedime tregon dallimet e propozimit të PS dhe të PD, duke theksuar se KQZ e pranon variantin e PD.
“Ne kemi 1.8-2 milionë shtetas shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë. Janë të regjistruar 18 mijë persona në Ministrinë e Brendshme, përmes e-Albania. Po të pranojmë ketë, lejojmë të votojnë vetëm 1% e emigrantëve që filtruar nga sistemi i patronazhimit të PS. Gjëja tjetër që kërkon është detyrimi i emigrantëve për të patur një rezidencë të ligjshme, por ne e dimë shumë mirë që një pjesë e mirë e tyre nuk kanë një të tillë.
Pra, ndërkohë që PS thotë të regjistrohet në e-Albania, të deklarojë rezidencën, pastaj të regjistrohet në KQZ, PD thotë që procesi të kryhet me një hap të vetëm, drejtpërdrejt në KQZ, që thotë se nuk i duhet domosdoshmërish adresa e ligjshme atje. Mjafton një e dhënë e sigurt që ky person është jashtë Shqipërisë. Me këtë mekanizëm të thjeshtë, ne i hapim të drejtën e votës të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë, jo vetëm 18 mijë personave që ka filtruar PS”- tha Oerd Bylykbashi për emisionin “Pa Censurë”.
Po a rrezikon që ky propozim t’i hapë rrugë votimit të dyfishtë? Nënkryetari i PD thotë se i është gjetur zgjidhja dhe kësaj çështje. “Shtetasi shqiptar ka një detyrim, të deklarojë veten që është jashtë vendit, në mënyrë të vërtetë, në të kundërt ka penalitete. KQZ thotë se e merr përsipër këtë pjesë. Ne marrim përsipër të pranojmë që kushdo që deklarohet jashtë, të hiqet nga qendra e votimit në Shqipëri. Kjo pastron listën.”- u shpreh zoti Bylykbashi, i cili këmbëngul se ky është varianti më i mirë që PS nuk e kontrollon dot.
“Në momentin që hapet diapazoni për këdo, ata nuk kontrollojnë dot më votën. Gjykoj që zgjedhësit që jetojnë jashtë janë baseni më i madh i votave të lira të shqiptarëve, por jo votave të lira, përsa i përket pagesës, votave të lira, të pandikuara nga pushteti.”- u shpreh Oerd Bylykbashi për RTSH.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



