Skemë mashtrimi në ujësjellës-kanalizime Vlorë, Balluku: Vepruat si grup kriminal, dosjet i çojmë në SPAK

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me tone të ashpra dhe akuzat për veprim si “grup i strukturuar kriminal” për ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizimeve në Vlorë.
Balluku bëri të ditur se juristët e kësaj ndërmarrje dhe disa persona të tjerë kanë keqpërdorur paratë e kompanisë për përfitime personale, dhe sot ky sektor rrezikon seriozisht të mos ofrojë shërbim për qytetarët e Vlorës.
“E vetmja ndërmarrje që ka një problem financiar, është ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve të Vlorës. Do e kuptoja paaftësinë e drejtuesve, keqmenaxhimin, por që të abuzohet në kurriz të qytetarëve të Vlorës dhe të jemi në rriskë që të mos ofrojmë shërbimin siç duhet pasi një grup njerëzish këtu kanë marrë paratë e kompanisë dhe i keqpërdorën për qëllime personale duhet ta dini sot zyrtarisht se kjo çështje nuk do ngelet ne sirtarët e mistrisë por do ndiqet penalisht për secilin që ka marrë pjesë në këtë abuzim, për të gjithë aktorët e përfshirë pa përjashtuar askënd. Nga dizenjuesi deri tek ekzekutuesit më të lartë të kësaj skeme. Kjo është detyrë e imja personale dhe do i shkohet deri në fund. Mendova që ishte më mirë tua thoja vetë dhe të mos e kishit surprizë kur të çojë dosjen në SPAK dhe merrni dhe avokatët që keni përdorur për skemën korruptive, përdorini për t’ju mbrojtur tani”, tha Balluku
Ministrja Balluku tha se u deshën dy muaj hetime nga ana e saj dhe ministrisë që të zbulohet e gjithë skema korruptive dhe të përfshirët në këtë skeme mashtrimi, ndërsa paralajmëroi të gjithë personat që ishin pjesë e kësaj skeme se dosje e tyre janë gati dhe do të shkojnë në SPAK.
Sipas Ballukut juristët e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime në Vlorë, në një kohë që mbronin shtetin në seancat gjyqësore dhe nga ana tjetër ishin ata vetë paditësit që merrni lekët.
“Kemi dy muaj që punojmë dhe kemi mësuar se kush janë aktorët si është ngjizur dhe kush janë përfituesit e skemës dhe si ndahen paratë dhe gjithçka tjetër. Dosjet janë gati, e do shkojnë në SPAK. Ngjarja do bëhet publike. Që juristët jo që nuk kanë mbrojtur çështjen , por e kanë çuar kompaninë në gjyq, njëri prej tyre edhe ka mbyllur çështjen , ka marrë edhe paratë dhe për çudi këtu është futur përmbaruesi që në shkallë të parë. Vetë juristët e ujësjellës-kanalizimeve Vlorë, ata që duhet të mbronin shtetin, ata vetë, në kohë që shkonin në gjyq gjasme për të mbrothur UKV e kishin hedhur vetën në gjyq dhe i kishin marrë vetë paratë. Nuk e di kush e ka pasur këtë siguri të jashtëzakonshme që shteti do flinte gjumë dhe ju do vazhdonit me këtë skemë korruptive”, tha Balluku.
Balluku u ka bërë thirrje të gjithë punonjësve që nuk janë përfshirë në këtë skemë që të distancohet, ndërsa për autorët tha se sot “vetëm filloi historia dhe do të përfundojë në dyert e drejtësisë”.
“Kushdo i përfshirë në këtë skemë i ka hyrë detit në këmbë. I ka rënë në qafë popullit të Vlorë, pensionistëve të Vlorës, bizneseve në Vlorë dhe të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe për këtë do të përgjigjeni një për një të gjithë. Vlora do bëhet shembull se çfarë ndodh kur ka grupe të strukturuar kriminal. Sot UKV është në rriskë për të mos ofruar dot shërbime në kulm të sezonit, pasi disa menduan se zbuluan skemën e shekullit për të fituar para.Pensionistët e UKV që dolën në pension por menduan se ka ardhur koha të vjedhin ca lekë nga UKV. Është një llogari që e keni bërë gabim, se mirë apo keq qeveria nuk fle, nëse e mendoni këtë. Uroj të gjithë ju që jeni të përfshirë të kuptoni ku keni hyrë, dhe ju të tjerët që s keni lidhje të distancoheni nga kjo skemë shqetësuese dhe të kontribuoni për Vlorën, për Shqipërinë dhe ta shihni veten si pjesë të një skuadre që punon për njerëzit, për arritjet dhe nuk punon për grupe të strukturuara. Sot vetëm filloi mbaroi në dyert e drejtësisë”, u shpreh ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



