FOTOT- Votimi i diasporës, Celibashi i propozon Grupit të Dialogut skemën e votimit

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i ka paraqitur në Kuvend Grupit të Dialogut, propozimet e KSHZ për regjistrimin dhe votimin e shqiptarëve jashtë vendit.
Lajmi është bërë i ditur për mediat nëpërmjet një postimi në platformat sociale, nga krye komisioneri për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.
Ndër argumentet e parashtruar është edhe krijimi i regjistrit të diasporës, i cili propozohet që të bëhet në mënyrë elektronike, me qëllim që e drejta e votës t’i garantohet edhe atyre emigrantëve që janë pa leje qëndrimi në shtetet ku ata jetojnë.
Kjo mund të bëhet përmes aplikimit për tu regjistruar nëpërmjet platformës elektronike te KQZ, e cila, sipas kreut të KQZ-së, ofron të gjitha garancitë mbi identitetin e atij që bën aplikimin. Metodat janë ose nëpërmjet njohjes së fytyrës, ose nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, si dhe dërgimit të një mesazhi në telefon.
Ka disa opsione që parashtrohen nga palët politike pjesëmarrëse në zgjedhje, për mënyrën e votimit duke filluar që nga ai me postë, nëpër ambasada etj. Por KQZ mbështet votimin përmes teknologjisë, sepse personi që voton mund ta dërgojë fletën e votimit në KQZ përmes sistemit elektronik, por edhe nëpërmjet postës.
Celibashi u shpreh para deputetëve se mbështet dërgimin e fletës se votimit nëpërmjet aplikacionit on-line, pasi votimi përmes postës, përveç kostove, ka edhe problemin se nuk u mundëson të votojnë ata që nuk kanë adresë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat pas mbledhjes tha se votimi elektronik ka shumë pikëpyetje. Sipas tij, varianti më i mundshëm është ai me postë.
“KQZ bëri një propozim teknik. Ka futur shumë elementë të votimit elektronik. Votimi elektronik në distancë ka shumë pikëpyetje nga pikëpamja e integritetit. Nëse do shkohet në votimin elektronik në të gjithë Shqipërinë, kjo është një çështje tjetër, siç dhe eksperienca ndërkombëtare sugjeron, votimi elektronik do të bëhet pjesor. Varianti më i mundshëm mbetet ai me postë”, tha ai.
Gjiknuri tha se varianti i propozuar nga KQZ-ja ka shumë elementë dhe duhen bërë disa analiza.
“PS është me parimin që çdo shqiptar që jeton jashtë vendit, duhet ti nënshtrohet dy- tre hapave verifikues, që kanë të bëjnë me identitetin dhe adresat e tij, dhe nëpërmjet një sistemi të besueshëm postar të mund të votojë”, theksoi Gjiknuri.








Drafti me propozimet e KQZ për votën e Diasporës
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




