Vizita e Kameronit, diplomati Rudolf Marku: Tregoi sa rëndësi ka politika e jashtme për vendet e vogla

Ish-sekretari i parë në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, Rudolf Marku e ka cilësuar vizitën e Sekretarit të Jashtëm britanik, David Kameron të rëndësishme dhe një ngjarje e madhe për vendin duke dhënë një mesazh të rëndësishëm se “sa e rëndësishme është politika e jashtme, sidomos për vendet e vogla”.
Në një intervistë për RTSH24, diplomati Marku e konsideroi politikën e Kameron “të butë dhe pro-europaine” si dhe figurën e tij “karizmatike që i riktheu dinjitetin Partisë Konservatore”.
“David Kameron është ish kryeministër i Britanisë së Madhe dhe është një politikan që ndjek vijën e Çurçill. Është një politikan i moderuar dhe hynë në grupin e politikanëve të “pëllumbave që nuk do ti bëjë gjërat me agresivitete”. Politikanët ndahen në grupin e “pëllumbave” dhe “skifterëve”. Është pro-europian. U desh një kohë e gjatë që pas Tony Blair të gjendej një figurë që të balancohej me të dhe Kameron, një figurë karizmatike i ktheu dinjitetin Partisë Konservatore. Para Kameron në qeverinë e Sunak në vendin e tij ishte një politikane e egër që i përket grupit të “skifterëve” që të lente dhe shumë pikëpyetje në politikat e saj. Kameron u tregoi shqiptarëve sa e rëndësishme është politika e jashtme, sidomos për vendet e vogla. Vizita e tij është një ngjarje e madhe ku vëmendje iu kushtua edhe problemit të emigracionit që nuk është vetëm i Anglisë por i gjithë botës”, tha diplomati Marku.
Lidhur me deklaratat e egra e raciste të disa politikanëve anglezë për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe, diplomati ia vuri fajin shteti shqiptar. Për diplomatin, i cili ka punuar në Londër, komuniteti shqiptar atje është i pambrojtur nga qeveria e tyre dhe se Ambasada duhej të dënonte fyerjet raciste që u bënë ndaj shqiptarëve, por sipas tij u tregua inferiore.
“Në një vend ku ka diversitet komunitetesh, Shqipëria u duk sikur ishte problemi më i madh. Kjo sepse shqiptarët janë një komunitet i pambrojtur nga qeveria e tyre. Për fat të keq komuniteti shqiptar është pa mbrojtje nga shteti i tyre . Shqiptarët nuk janë as më të mirët dhe as më të këqijtë. Ambasada shqiptarë në Londër nuk ka bërë asnjë protestë apo të këtë ngritur zërin lidhur me britmat histerike dhe fyese ndaj shqiptarëve sikur të ishin barbar. Këto që duhet të gjykohen për racizëm ndaj shqiptarëve thërrasin ambasadorin tonë në parlament dhe ai thotë “më fal se nuk flas mirë anglisht.” Para jo që nuk i kërkon llogari ndaj këtij racizmi, por shfaq edhe një inferioriteti. Ky është problemi i komunitetit shqiptar fatkeqësisht”, tha ai.
Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme të Britanisë, David Kameron (Cameron) zhvilloi më 22 maj vizitën e tij të parë në Tiranë, edhe pse vetëm disa orëshe. Ai vlerësoi arritjet që kishte bërë Shqipëria, ndërsa tha se Britani dëshiron të forcojë edhe më shumë partneritetin në luftën ndaj krimit dhe ekonomisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




