Dhuli: Rama e do aq shumë diasporën, sa detyroi 500 mijë shqiptarë të largohen

Juristi Skerdilajd Dhuli tha se në takimin me emigrantët në Athinë, mesazhet e dhëna nga kryeministri Edi Rama nuk i shërbejnë shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj.
Në studion e emisionit “3D” të Alban Dudushit në RTSH, Dhuli tha se Rama e përdori këtë takim, sipas tij, për t’i dhënë një mesazh Greqisë se shqiptarët atje i komandon vetë ai.
Sipas Dhulit, nuk janë emigrantët prioritet i Ramës, teksa tha se gjatë qeverisjes së tij janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë.
“Në një vend që jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë, nuk është e vështirë të gjesh 3-4 mijë socialistë që kanë ikur nga Shqipëria dhe patjetër dikush prej tyre është gati të bëjë be për kokë të Edi Ramës, se dikur bëhet për Enver Hoxhën. Rama, ato mesazhe që dha në atë sallë, nuk i jep asnjë benefit as emigrantëve shqiptarë as shqiptarëve në Shqipëri dhe as marrëdhënieve Greqi-Shqipëri. Rama nuk i shpjegoi emigrantëve për votën e diasporës, nuk foli për problemet në pikat kufitare shqiptare-greke. Çështjet që hodhi në atë sallë Rama i ka diskutuar në tryezat me kryeministrat grekë? Ai e bëri me aq pompozitet takimin për t’i dhënë mesazhin Greqisë që emigrantët shqiptarë i komandoj unë edhe pse një pjesë prej tyre në sallë, 3 mijë persona janë administratë nga Shqipëria. E dekonspiruan vetë se publikuan një foto vetë. Rama donte që atë sallë ta shiste në Shqipëri. Edi Rama e do aq shumë diasporën sa çdo ditë e pasuron atë me nga 45-50 mijë shqiptarë në ditë që largohen në Europë apo SHBA. Këto 12 vite janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë, kaq shumë e do diasporën Edi Rama”, deklaroi Dhuli.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




