Bardhi: Rama shpopulloi vendin dhe shkon në Greqi me moton “Krenar për ju”

Politikë | 3 vite më parë

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjatë një takimi me demokratët në Kukës, deklaroi se shpopullimi i Kukësit dhe gjithë Shqipërisë, është plaga më e madhe që ka shkaktuar keqqeverisja 11 vjeçare e Edi Ramës.

Sipas tij, fatkeqësisht të rinjtë dhe të rejat e Kukësit janë detyruar të largohen për shkak të mungesës së mundësive për punësim apo biznes.

“Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur me Edi Ramën dhe ndryshimi është i domosdoshëm për të ardhmen e vendit. Edi Rama, qartësisht, as nuk dëshiron dhe as nuk arrin dot të ndërtojë as shtet evropian, as shtet demokratik, që lufton korrupsionin dhe ndërton një qeverisje në dobi e shërbim të qytetarëve.”, tha Bardhi.

Sipas tij, është detyrë e Partisë Demokratike që të pasurohet me mendjen dhe zemrën e qytetarëve të ndershëm shqiptarë dhe të fitojë besimin e tyre për ta rikthyer Partinë Demokratike në qeverisje, si e vetmja rrugë për zhvillimin e vendit dhe të ardhmen evropiane të saj.

Bardhi foli edhe për takimin që kryeministri Rama zhvilloi të dielën me shqiptarët në Ahinë. Bardhi tha se e vetmja gjë që Rama u ofroi atyre, ishte një koncert.

“Rama shpopulloi vendin dhe shkon në Greqi me moton “Krenar për ju”. Ai nuk i ka bërë krenarë shqiptarët, por i detyroi të largohen. Edhe sot, atje në Athine nuk po u ofron asgjë veç një koncerti. Si mundet një qeveri t’i bëjë krenarë qytetarët e saj? Jo duke bërë koncerte, por duke u ofruar një ekonomi me të mirë, pensione më të mira, shkollim më të mirë, rroga më të mira, spitale më të mira”, u shpreh ai.

Noka: Kjo drejtësi është drejtësi politike me regji

Ndërsa Sekretari i Përgjitshëm i PD-së, Flamur Noka, në fjalën e tij në takimin me demokratë në Kukës, deklaroi se skema “5D”, është një skemë kapilare e cila është shtrirë në të gjithë bashkitë e vendit dhe që synon vjedhjen tashmë 100%.

Ai komentoi edhe vizitën e kryeministrit Rama në Athinë, duke u shprehur se ai sillej si “Liza në botën e çudirave” me mënyrën se si e paraqiste veten para emigrantëve, si personi i cili i kishte shpallur luftë korrupsionit.

“Kjo drejtësi është drejtësi politike me regji. Nuk është rastësi që u zgjodh Irena për Sali Berishen. E faktuar falsifikatore me vendim gjyqi në Greqi. Ndaj peshqit e mëdhenj të Donald Lusë janë shndërruar në peshkaqenë të fondeve publike. Garanci nga drejtësia e re, dhe pa ndëshkimi i korrupsionit sot është monumenti më i madh i ngritur në këtë vend.”, tha Noka.

Gjekmarkaj: Themeluesi i pluralizmit dhe PD-së, pa akuzë ndodhet në arrest

Nënkryetari i PD Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij me demokratë në Kukës, u shpreh se me arrestimin e ish kryeministri Sali Berisha, po bëhet një përpjekje për të dërguar PD-në në zgjedhje me “gojë të mbyllur e duar të lidhura”.

 “Ndjesë për të gjitha trazimet që në politikanët e Tiranës ju kemi shkaktuar këto vite. Duke ardhur rrugës në Rrugën e Kombit, më kujtohej që Rama e quante rruga që të çon asgjëkund sepse Kukësi e Kosova për të ishin asgjëkund. Një vepër e tillë është ajo që na kthen tek gjërat e mira që ka bërë PD që janë shumë, e për të cilat duhet të jemi krenar. Themeluesi i pluralizmit dhe PD-së, pa akuzë ndodhet në arrest që këtë vit elektoral, PD me ndihmën e disa gjykatave të shkojë me gojën mbyllur me duar e këmbë të lidhura në zgjedhje, por kjo nuk do të ndodhë. Çdo qytetar duhet të ndajnë mendjen të shesë votën apo të qëndrojë. Rrënimi nis te shitja e votës”, tha ai.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme