Spiropali: Dje ishin emigrantët që e mbajtën Shqipërinë me bukë, sot ju ofrojmë mundësi të reja

Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali ftoi shqiptarët që jetojnë në Greqi të rikthehen. Spiropali ngriti lart figurën e shqiptarëve që me punën e ndershme arritën të ngrinin lart emrin e shqiptarëve dhe në Greqi.
“Mirëdita këtu dhe kudo ku jeni shqiptare te Greqisë nga Tirana, Korça, Berati, Elbasani, Gjirokastra, Durrësi, Shkodra, Vlora, Kukësi, Fieri. Një përqafim për çdo bir nëne që flet shqip në këtë vend për çdo motër vëllai, për çdo baba fëmijësh që kane ardhur apo po e ndjekin këtë kuvend nga të katërt skajet e Greqisë për të ndarë rrahje zemre që këndojnë dhe vajtojnë në shqip dhe dashurojnë gjithashtu në gjuhën tonë të bukur e cila na bën bashke në ndjenjën e përkatësisë dhe të krenarisë shqiptare. Miq, motra dhe vëllezër sa herë që vë këmbën në Greqi më vjen mendimi kur perdja e hekurt e komunizmit ra dhe kuptuam se ishim të gënjyer se ishim të varfër dhe të pangrënë në një botë të madhe që as e njihnim dhe as na njihte.
Një vend që ka ende plagë për të shëruar dhe ende rrugë për të bërë deri në sheshin e flamujve në BE por mjafton të mendosh se çfarë marrëzie ishte kur ju ikët nga Shqipëria dhe deri pak vite me parë që ta mendoje se vendi ynë do të bëhej magneti i më shumë se 10 milionë turistë në një vit ndër të cilët edhe grek” u shpreh Elisa Spiropali.
Spiropali u shpreh se Shqipëria po bëhet më e fortë për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë diçka duke investuar në shtëpitë e të parëve dhe punuar në tokat e të parëve. Ajo theksoi se dje ishin emigrantët që e mbajtët Shqipërinë me bukë ndërsa sot eshte Shqipëria që mund t’ju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja.
“Shqipëria e sotme nuk është ende vendi kush kthehet e gjen të shtruar rrugën, por kush kthehet me dijen, aftësitë dhe kursimet e punës në emigracion i ka të gjitha për t’ia hapur vetes rrugët në një copëz Europë në formim e sipër. Ju po vini gjithnjë e më të shumtë për ta parë Itakën tuaj kurdo që mundeni e shumë prej shumë i vëzhgoni mençurish shtigjet e rikthimit. Shqipëria po bëhet më e fortë më e zonja më e hapur për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë diçka duke investuar në shtëpitë e të parëve dhe punuar në tokat e të parëve. Dje ishit ju që e mbajtët Shqipërinë me bukë, sot ajo mund t’ju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja.
Falë jush sot ka ndodhur mrekullia. Sepse ju që jetoni këtu me kokën lart respektoheni për punën tuaj. Nuk keni më siklet të thoni emrin shqiptar por keni dhe kënaqësinë të dëgjoni kur grekët kthehen të habitur me vendin tonë. Ju e keni bërë Shqipërinë më të madhe dhe më të fortë. Sot nuk ka Shqipëri vetëm për Shqipërinë, por ka Shqipëri dhe këtu si një herë e një kohë kur në këtë vend flitej shqip nga të katër anët dhe shqiptarët ishin pjesë krenare e jetës së Greqisë. Ju jeni krenaria e shqiptarëve. Faleminderit shqipeve të Athinës”, u shpreh Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




