Rama nga Athina: Parësore harmonia dhe respekti reciprok. Absurde që Greqia ka ende Ligjin e Luftës

Politikë | 3 vite më parë

Nga problematikat e shqiptarëve në Greqi, ndalimet e tyre të paargumentuar në kufi nga pala greke, lejet e qëndrimit, respektimi i të drejtave të tyre si komunitet në shteti fqinj, investimet e tyre në atdhe por edhe çështja e pronave ishin të gjitha tematika të cilat kryeministri Edi Rama u dha përgjigje nga Athina.

Në takimin e parë me diasporën, të cilën e nisi nga shteti fqinj në stadiumin “Galatsi”, ku me mijëra shqiptarë ishin të pranishëm, kreu i qeverisë kërkoi që mes dy vendeve të hapej një faqe e re bashkëpunimi dhe marrëdhëniesh harmonike për më shumë zhvillim dhe prosperitet mes dy popujve.

Rama dënoi fort që në tryezën e marrëdhënieve mes dy vendeve të qëndrojë në mes ende Ligji i Luftës, i vendosur në 1940, kur mes shteteve ka edhe një Traktat Miqësie që nga 1998.

“Në vend që Shqipëria dhe Greqia të ishin sot shembull triumfi dhe aset gjeopolitik në Ballkan dhe shembull për t’u ndjekur nga fqinjët, në  tryezën e marrëdhënieve tona rri në fuqi Ligji i Luftës së Greqisë me Shqipërinë. Pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, megjithëse në vitin 1998 të dyja shtete kanë miratuar traktatin e miqësisë. Si ka mundësi që mes dy shtetesh që janë bashkë në NATO prej 15 vitesh të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte 80 vite më parë. Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e vendeve tona siç jemi përpjekur t’i adresojmë sa më drejtë me dialog”, tha Rama.

Zgjidhja e çështjeve si evropianë dhe largimi “reve të zeza dhe pluhurit” të politikës nga marrëdhëniet mes dy popujve ishte kërkesa e kryeministrit Rama. Duke drejtuar gishtin nga “orekset” e politikës së të dyja vendeve që kanë penguar harmoninë mes dy popujve, Rama shtoi se në kohërat ku jetojmë marrëdhëniet shqiptaro-greke duhen zhvilluar dhe kthyer në një shembull bashkëpunimi gjeopolitik dhe strategjik për rajonin e Ballkanit.

Para mijërave shqiptarëve, Rama tha se lajme të mira priten edhe nga marrëveshja me pensionet, por edhe leje-qëndrimit të emigrantëve në Greqi.

Lidhur me çështjen e pronave, kreu i qeverisë tha se ky është një problem për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për entitetin grek në vendin tonë.

Një kërkesë Rama e pati edhe për Greqisë, ku tha se “Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, përveç respektit reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve reciproke të fqinjësisë së mirë”, ndërsa shtoi se çështjet e hapura mes dy vendeve zgjidhen përmes dialogut “ku palët të mos i bëjmë bisht komunikimit dhe të gjejmë zgjidhjet e arsyeshme”.

Në fund mesazhin e pari për kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis ku tha se “duam me të gjithë fqinjët, Sllavë dhe Grekë të jetojmë në harmoni”, ndërsa e konsideroi atë si mikun e tij dhe kryeministrin grek më të hapur për bashkëpunim për zgjidhjen e çështjeve mes dy popujve. 

RTSH raportoi nga afër takimin e kryeministrit Edi Rama në Athinë duke transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë tubimin, zhvillimet e të cilave mund t’i lexoni më poshtë.

Ora 13.20: Rama pusullë Mitsotakis: Miku im të jetojmë në harmoni, të hapin faqe të re për vendet tona

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh kryeministrit grek Mitsotakis, të cilin duke e konsideruar si mikun e tij, i lutet që mes dy vendeve tashmë të hapet një faqe e re e bashkëpunimit dhe jetesës në harmoni.

“Përpara se sa të largohem dhe në pamundësi për ta takuar, dëshiroj që edhe në emrin tuaj, t’i le një pusullë miku tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi për të udhëhequr Greqinë, kryeministrit Mitsotakis. Në vitin 1886 poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, shkruajti në greqisht vjershën e tij “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve”: “Duam me të gjithë fqinjët, Sllavë dhe Grekë të jetojmë në harmoni,  Në vëllazërim, me rend dhe paqe, të jetojmë. Shumë të fala, nga unë dhe shqiptarët e Greqisë.  Rroftë Shqipëria, zito i Elladha, rroftë Europa demokratike! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë dhe haptë një faqe të re vëllazërie, rendi e paqeje mes Shqipërisë dhe Greqisë”, tha Rama.

Ora 13.05: Njohja e pensioneve me Greqinë dhe leje-qëndrimet, Rama nga Athina: Kemi lajme pozitive

Kryeministri Edi Rama foli edhe për marrëveshjen e pensioneve dhe lejet e qëndrimit të shqiptarëve në Greqi, ku tha se së shpejti do ketë lajme të mira.

“Me qeverinë aktuale, se me ato më parë nuk bëhej fjalë, kemi çelur negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje që deri dje as nuk shikonim asnjë dritë në fund të tunelit. Marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë janë më komplekset për shkak të peshës që ka faktori shqiptar në të dyja shtetet. Kemi hapur dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikat e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes së nënshtetësisë me natyralizim dhe ka progres dhe shumë shpejt ju do merrni lajme shumë të mira”, tha Rama.

Ora 12.50: Rama nga Athina: Në vend që të ishin partner shembull në rajon, mes nesh qëndron ende Ligji i Luftës 

Kryeministri Edi Rama tha se në vend që mes dy shteteve të ishin kthyer në një shembull bashkëpunimi në rajon, në tryezën e marrëdhënieve të tyre qëndron ende Ligji i Luftës.

“Në vend që Shqipëria dhe Greqia të ishin sot shembull triumfi dhe aset gjeopolitik në Ballkan dhe shembull për t’u ndjekur nga fqinjët, në  tryezën e marrëdhënieve tona rri në fuqi Ligji i Luftës së Greqisë me Shqipërinë”, tha Rama.

Ora 12.30: Rama: Orekset politike ndanë popujt, në marrëdhëniet tona ka dimër dhe kurrë verë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe marrëdhëniet mes dy vendeve, ku sipas tij janw dy popuj të bashkuar nga historia dhe janë ndarë për shkak të “orekseve” politike.

“Nuk e kuptoj dot, a nuk është më e thjeshtë të çmojmë historinë e vjetër të popujve tanë si thesar përrallor që na përket të gjithëve dhe jo duke e manipuluar dhe përdorur nga duart e rrudhosura të Ballkanit. A nuk është më e ndershme karshi kombeve tona që ta ndajmë atë që u përket popujve nga ajo që u përket shteteve. Atë që u përket shteteve nga ajo që u përket partive, dhe atë që u përket partive nga ajo që u përket brazave të ardhëm për paqen dhe prosperitetin. A nuk është më e logjikshme që Greqia dhe Shqipëria të ndajnë në partneritet të ngushtë rrugën e demokracisë dhe të vallëzimit të vazhdueshëm të shqiptarëve dhe grekëve ne vend që konsumojnë kohë dhe energji të  shek. 21 për hesap të politikave dhe orekseve të pseudopatriotëve që i kemi me shumicë nga të dy vendet si fosile të gjalla të shek..19. Kultura jonë e përbashkët është plazmuar shumë kohë më parë se gjuhët të bëheshin shpata dhe flamujt të ktheheshin në shtiza dhe të fuste popujt në lufta e konflikte. Duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjelle dhe korrur në këto 30 vite shumë më shumë frute suksesi, duke përdorur mundësitë dhe pasuritë tonë si burime komplementare të rritjes së dy popujve tonë dhe të bëheshim shembull për krejt rajonin në vend që të hyjmë nga ngërçi në ngërç. Në marrëdhëniet tona nuk vjen vera asnjëherë, por kemi vetëm një pranverë të shkurtër”, tha Rama.

Ora 12.20: Rama nga Athina: Duam respekt reciprok, minoritetit grek s’u janë mohuar kurrë të drejta

Kryeministri Edi Rama tha se kërkon nga Greqia respekt reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Rama foli gjithashtu edhe për problemet që shqiptarët hasin në Greqi, ku tha se komunitetit grek në Shqipëri nuk i është mohuar kurrë asnjë e drejtë nga autoritete shqiptare.

“Në një vend si i yni që përparon përditë por ku plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës janë ende jo plotësisht të mbyllura. Ama kurrë një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hallë apo problem për shkak të kombësisë së tij. Kurrë asnjëherë në asnjë rast grekët etnik nuk u është mohuar arbitrarisht nga autoritet shqiptare e drejta e besimit, gjuhës dhe pronës. Kurrë në asnjë rast atyre nuk u është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës së tyre etnike. Dhe nëse flasim për pronat, këtu ju jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, e kush nga ju që ka një shpia apo tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësi për 1001 arsye mund të thotë të kundërtën. Ky është një problem i Shqipërisë dhe jo vetëm për grekët e Shqipërisë. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, përveç respektit reciprok dhe kujdesit reciprok të bashkëkombëseve dhe marrëdhënieve reciproke të fqinjësisë së mirë. Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur mes nesh, ne i shohim si arsye për t’u afruar më shumë dhe për t’u njohur më mirë dhe të mos bëjmë bisht komunikimit dhe të gjejmë zgjidhjet e arsyeshme për të dy palët”, tha Rama.

Ora 12.15: Rama: Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ngushta, pengohen nga “pluhurat” e politikës  

Kryeministri Edi Rama tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë më të ngushta nga sa janë dukur. Rama tha se është “pluhuri” nga politika e dy vendeve që nuk lejon që lidhja e fortë mes dy popujve të shihet qartë.

“Mirë se ju gjetja në shtëpinë tuaj të dytë në Greqinë fqinje dhe mike. Jeta dhe vepra juaj më mbushin me frymëzim shqiptarinë dhe më shumë krenari për ju njerëz të zakonshme nga të katërta anët e Shqipërisë që jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Evropës. Shqipëria e ka ngritur kokën e saj të ulur nga historia tragjike dhe i sheh të gjithë sot në sy me të njëjtin respekt që kërkon nga të gjithë. Ju shqiptarët e Greqisë jeni sot një vlerë e shtuar e punës dhe ekonomisë, dijes dhe kulturës së këtij vendi të bekuar, me të cilën na lidh jo vetëm fqinjësia por dhe një histori mijëravjeçare. Përgjatë kësaj historie, marrëdhëniet tona kanë qenë gjithnjë shumë më të lidhura nga sa janë dukur apo sa janë lënë të duken nga pluhurat dhe retë e politikes së dy vendeve tona”, tha Rama.  

11.57: Klosi nga Athina: Hasëm probleme nga politika greke për organizmin e këtij takimi

Sekretari i përgjithshëm i PS, Blendi Klosi tha se emigrantët shqiptarë në Greqi janë shembulli më i mirë i Shqipërisë reale dhe se me punën e tyre hodhën poshtë paragjykimet nacionaliste. Lidhur me organizmin e takimit Klosi tha se u hasën disa problematika për shkak të politikës në shtetin fqinj.

“Për shumë patriotë të mbledhur sot në këtë tubim të madh duhet të ishte një gjë e thjeshtë lidhur me organizmin, por fatkeqësisht patëm shumë vështirësi në mundësimin e këtij takimi. Jemi sot me kryeministrin. Sa keq që vetëm këtu patëm disa pengesa të çuditshme dhe artificiale për organizmin e këtij takimi. Politika përpiqej ta pengonte takimin për arsye elektorale mes dy popujve tanë. Ju jeni pasqyra më besnike e Shqipërisë reale përtej llogoreve të konflikteve politike. Ju i treguat popullit grek sa të ndryshëm ishit nga balta që ju përlye padrejtësisht apo për t’ju paragjykuar nga përbuzja nacionaliste, ju jeni shembull i integrimit. Ju premtojmë se shumë shpejt do të zgjidhin problemin e pronave për të gjithë ju”, tha Klosi.

Ora 11: 47:  Spiropali: Dje ishin emigrantët që e mbajtën Shqipërinë me bukë, sot ju ofrojmë mundësi të reja

Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali ftoi shqiptarët që jetojnë në Greqi të rikthehen. Spiropali ngriti lart figurën e shqiptarëve që me punën e ndershme arritën të ngrinin lart emrin e shqiptarëve dhe në Greqi. Spiropali u shpreh se Shqipëria po bëhet më e fortë për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë diçka duke investuar në shtëpitë e të parëve dhe punuar në tokat e të parëve. Ajo theksoi se dje ishin emigrantët që e mbajtët Shqipërinë me bukë ndërsa sot eshte Shqipëria që mund t’ju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja.

“Shqipëria e sotme nuk është ende vendi kush kthehet e gjen të shtruar rrugën, por kush kthehet me dijen, aftësitë dhe kursimet e punës në emigracion i ka të gjitha për t’ia hapur vetes rrugët në një copëz Europë në formim e sipër. Ju po vini gjithnjë e më të shumtë për ta parë Itakën tuaj kurdo që mundeni e shumë prej shumë i vëzhgoni mençurish shtigjet e rikthimit. Shqipëria po bëhet më e fortë më e zonja më e hapur për të gjithë njerëzit që duan të bëjnë diçka duke investuar në shtëpitë e të parëve dhe punuar në tokat e të parëve. Dje ishit ju që e mbajtët Shqipërinë me bukë, sot ajo mund t’ju mbajë duke ju ofruar mundësi të reja”, u shpreh Spiropali.

Ora 11:45: Kryenegociatoria Dhuka: Shqiptarët e Greqisë janë qytetarë të barabartë të Greqisë Evropiane

Kryenegociatoria e Shqipërisë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian ,Majlinda Dhuka në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë foli për prejardhjen e saj, duke thënë se “është vajza e një babai minoritar gjithashtu u shpreh se është krenare për shqiptarët e Greqisë sepse tani janë qytetare të barabartë të Greqisë Evropiane.

“Greqia nuk është vetëm një vend fqinj dhe mik por një partner shumë i çmuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Ndihem shumë e privilegjuar që të përfaqësoj Shqipërinë në krye të negociatave për anetarsim në BE dhe jam shumë krenare t’ju them sot se skuadra jonë ka fituar konsideratën me të lartë të partnerëve evropian në tryezën e negociatave në anëtarësimin e BE. Shqipëria sot është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës shekullore dhe amanetit të rilindësve. Ju shqiptarët e Greqisë jeni shembulli me kuptim plotë sepse nga njerëz që ju shihnin me sytë e paragjykimit në qytetarë të barabartë të Greqisë evropiane”, u shpreh Kryenegociatore e Shqipërisë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka.

Ora 11.38: Ambasadorja shqiptare në Athinë: Moment historik 

Ambasadorja e Shqipërisë në Athinë Luela Hajdaraga e ka konsideruar një moment historik ardhjen e kryeministrit Edi Rama në Athinë në këtë takim të parë me diasporën. Ambasadorja tha se komiteti shqiptar në Greqi ka ngritur lartë emrin e popullit shqiptar me kontributin e tyre.

“Qëndroni krenar për Shqipërinë. Shqiptarët dinë të jenë mirënjohës dhe të vlerësojnë prandaj puna e tyre ka ngritur në majat më të larta emrin e shqiptarëve. Ardhja e kryeministrit shqiptar në Athinë të cilin dua ta falënderoj, është një vëmendje e vazhdueshme ndaj komunitetit shqiptar në Greqi dhe është një vizitë historike, ndaj ta shfrytëzojmë ditën e sotme si një tjetër mundësi pre ri energjizimin e kësaj marrëdhënie unike të shqiptareve kudo që ndodhen”, u shpreh ambasadorja.

Ora 11.21: Takimi nis me spektakël, performojnë disa këngëtar shqiptarë

Takimi me diasporën në Athinë nuk do të jetë vetëm me fjalime të kreut të qeverisë dhe ministrave të tij, por do të dhuroj edhe spektakël. Në skenë është ngritur këngëtarja Era Rusi dhe Noizy, të cilët kanë ndezur edhe më shumë stadiumin “Galatsi”.

Ora 10.50: “Po vij! Jeni bota”! Stadiumi Galatsi në Athinë “vishet” kuqezi, shqiptarët në pritje të Ramës

Me mijëra shqiptarë janë mbledhur në stadiumin “Galatsi” në Athinë për takimin e tyre me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama.

Tashmë shqiptarët kanë hyrë në stadium ku në duar mbajnë flamuj kuqezi, ndërsa në sfond janë vënë këngë patriotike, në pritje të ardhjes së kryeministrit Edi Rama.

Pamjet nga stadiumi “Galatsi” që është “veshur” kuqezi janë ndarë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili ka mbërritur tashmë në Athinë.

Video shoqërohet nga Rama me shkrimin “Po vij! Jeni bota”.

Ora 10.20: Takimi me shqiptarët në Athinë, Rama për Kathimerini: Mitsotakis e kam mik që e respektoj, mos sajoni teori konspirative

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar si teori konspirative dhe propaganda deklaratat e opozitës greke dhe disa prej mediave në vendin fqinj se ai po vjen në Athinë për të “turbulluar ujërat” lidhur me çështjen Beleri si dhe t’u bëj thirrje shqiptarëve të mos votojnë qeverinë e Kyriakos Mitsotakis.

Në Athinë ku ndodhet sot (12 maj) për takimin e tij të parë me diasporën shqiptare, Rama tha për median greke Kathimerini se Mitsotakis e ka një mik të mirë që e respekton shumë dhe se është kryeministri që ka bashkëpunuar më shumë deri më sot lidhur me forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.

Rama ka ironizuar edhe deklaratat se po ndikon në politikën e brendshme të Greqisë, duke thënë se “media greke është e mirë në sajimin e teorive konspirative dhe paraqitjen e tyre si prova”.

“Ajo që kam mësuar duke parë më nga afër lajmet në shtëpi është se ju jeni edhe më mirë se ne në sajimin e teorive konspirative, duke i kthyer thashethemet në fakte dhe më pas duke i përdorur ato si provë për shumë përfundime të pabaza. Kyriakos është kryeministri i Greqisë, është një mik që e respektoj shumë. Unë besoj se ai është kryeministri grek që, më shumë se çdo paraardhës i tij me të cilin kam punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Gjithashtu, Greqia është një shtet i pavarur ku as që mund të mendoj të ndikoj në zgjedhje, gjë që e kuptoj megjithatë mund të jetë e vështirë për t’u besuar për disa politikanë grekë apo propagandistë mediatikë që ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë me lehtësinë e ushtrimit të një të drejte natyrore”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare pati edhe një mesazh për popullin grek, se urren nacionalizmin në Ballkan dhe se për shkak të saj “marrëdhëniet mes popujve shpesh nuk janë në nivelin e duhur”.

“Ndoshta do t’u drejtohem grekëve, ndaj të cilëve kam vetëm respekt dhe ndjenja pozitive. Arsyetimi im këmbëngulës është se pse politika e deritanishme ka dështuar në ngritjen e marrëdhënieve ndërshtetërore në nivelin e mirë që janë marrëdhëniet e dy popujve. Kjo është një arsye thelbësore ndër të tjera pse e urrej nacionalizmin ballkanik dhe pse i konsideroj nacionalistët ballkanikë sharlatanë të pastër”, u shpreh Rama.

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë u politizua duke ftohur edhe më shumë marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, pasi opozita greke u shpreh se “vizita e tij bëhet për të ndikuar në politikën e brendshme të Greqisë”.

Ftohja e marrëdhëniet greko-shqiptare nisi me arrestimin e Fredi Belerit, i cili fitoi zgjedhjet në Himarë nga burgu, por nuk u lejua të bënte betimin. Ai u dënua me dy vjet burg pasi u shpall fajtor për blerjen e një grushti votash. Për palën greke aktakuza është e montuar politikisht, ndërsa për qeverinë shqiptare, është çështje e drejtësisë dhe jo politikës.

Ora 10.00: Investimet, turizmi dhe vota e emigrantëve, gazetarja Denada Shkodrani jep detaje nga takimi i Ramës

Pjesë e diskutimeve me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe kryeministrit Edi Rama do të jenë çështje të rëndësishme që konsiderohen nga qeveria shqiptarë si sektor strategjik në kuadër të nismës “Shqipëria 2030”. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani ka ndarë detaje lidhur me këtë takim të parë të kreut të qeverisë me diasporën shqiptare. Takimi që do të mbahet në stadiumin Galatsi, ndërsa një tjetër mbledhje do të bëhet edhe me sipërmarrës dhe përfaqësues shqiptar që kanë krijuar biznese prej vitesh në vendin fqinj, si dhe shqiptarë që kanë profesione të rëndësishme dhe janë pjesë e kabinetit qeveritar në Greqi.

Turizmi, vota e emigrantëve, investime në Shqipëri si dhe investimet në sektorë strategjik si energjia do të jenë pjesë  e diskutimeve gjatë mbledhjes që pritet të zgjasë rreth dy orë në stadiumin Galatsi. Gazetarja Shkodrani theksoi se në takim nuk do të ketë deklarata mbi çështjet sensitive që “cenojnë ekuilibrat politik me Greqinë”. Rama pritet që t’u bëjë thirrje shqiptarëve në Greqi që të investojnë në vendin tonë dhe në tokat e tyre si një mënyrë jo vetëm për të nxitur ekonominë por edhe në kuadër të përmirësimit të sektorit turistik në vend.

Kryeministri Edi Rama në këtë takim do të jetë i shoqëruar nga ministra të qeverisë, ndërsa për sigurinë e tij do të jetë një grup elitar nga Garda e Republikës dhe Polica e Shtetit që do të shoqërojë kreun e qeverisë gjatë gjithë vizitës deri në kthimin e tij sërish në Tiranë. Edhe policia e Athinës ka marra masa sigurie lidhur me mbarëvajtjen e aktivitete duke vënë në dispozicion rreth 1000 efektivë. Gjithashtu qëndrimit në Athinë pritet që Rama të zhvillojë edhe në takim me strukturat e PS në vendin fqinj, ku do të jepen edhe 200 karta anëtarësie të PS, në kuadër të rienegjizimit të partisë dhe përgatitjes së saj për zgjedhjet e 2025, ku Rama kërkon një mandat të 4-të në krye të qeverisë. Në Greqi ndodhet dhe diaspora më e madhe me rreth 1 milionë shqiptarë.

Ora 08.00: “Krenar për Shqipërinë”, Rama nis sot turin me diasporën nga Athina. Greqia merr masa sigurie

Kryeministri Edi Rama nis sot (12 maj) takimet e tij me diasporën shqiptare në botë në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.Takimi i parë do të jetë me shqiptarët në Athinë, ku sot në orën 11.00 do të mbajë një fjalim në stadiumin Galatsi, në sallën “Christmas Theater”.

Takimi i Ramës do të jetë privat i fokusuar vetëm te shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, dhe nuk do të ketë takime me zyrtarë grekë. Për takimin janë marrë masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e  ktivitetit, ku qindra punonjës policie do të jenë në dispozicion për të siguruar kalimin e qetë të Edi Ramës në vendin ku do të zhvillohet fjalimi.

Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në Greqi në orën 9.00 i shoqëruar nga anëtarë të qeverisë së tij dhe më pas do i drejtohet stadiumit Galatsi ku do të mbajë fjalën e tij para emigrantëve shqiptarë në orën 11.00.

Pas Athinës, Rama do të vijojë turin e takimeve me diasporën edhe në Milano, Londër dhe Dusseldorf.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme