Mocion me debat për drogën/ Çuçi: Çështje të ezauruara nga drejtësia. Bardhi: Dosja e Xibrakës s’është mbyllur

Politikë | 3 vite më parë

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ka nisur me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, pas kërkesës së kësaj të fundit për të zhvilluar një mocion me debat në Kuvend për trafikun e drogës.

Vetëm mazhoranca pretendon se nuk ka vend për mocion, pasi këto janë çështje të ezuaruara nga drejtësia, por në të njëjtin mendim nuk është opozita e cila thekson se lidhur me çështjen e Xibrakës “ka një dosje të veçuar ende pa shqyrtuar”.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi tha se nuk PS nuk e mbështet kërkesën e opozitës për mocion me debat sepse çështjet për të cilat është kërkuar janë trajtuar më herët nga gjyqësori apo edhe në komisione hetimore parlamentare.

“S’kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocion s’duhet zhvilluar fare pasi janë çështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si është parashtruar kërkesa s’ka vend fare për mocion. Kërkesa e opozitës lidhet me çështje që janë gjykuar nga drejtësia madje edhe me vendime të formës se prerë, që janë ezauruar edhe ne debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund te ulemi sot te flasim për datën e një mocioni”, deklaroi Çuçi.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se kjo është në kërkesë ligjore dhe e drejtë e opozitës dhe se mazhoranca nuk mund të mohoj diçka të tillë kur “raportet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës”.

“Ju mund te jeni dakord që të mos ekzistojë opozita por se keni në dorë ju. Kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës. Ju folët për çështje të ezauruar, por ju kujtoj se laboratori i Xibrakës nuk është çështje e ezauruar. Ka një dosje të veçuar e cila është në sirtar dhe nuk është trajtuar. Raporet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës. Prandaj do duhet të ketë mocion për këtë çështje. Por ju s’keni interes kur folët për grabitje prone, s’keni interes kur folët për ekonominë, s’keni interes kur folët për krimin. Duke e shpallur çështjen e Xibrakës, si të mbyllur po merrni ne mbrojtje një organizatë kriminale. Ka një dosje të veçuar në organet e drejtësisë”, tha Bardhi.

Dy javët e fundit një nga ngjarjet që është risjellë në vëmendje nga Gazmend Bardhi është ajo e laboratorit të kokainës në Xibrakë, në sfondin e të cilës deputeti demokrat thotë se qëndrojnë edhe lidhjet familjare të kryeministrit të vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme