Moscaktimi i datës për mocion me debat në Kuvend, Bardhi: Shkelje të Kushtetutës

Shkelje të Kushtetutës e konsideron Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi moscaktimin e një date nga ana e konferencës së kryetarëve për të zhvilluar mocionin për trafikut e lëndëve narkotike.
“Konferenca e kryetarëve ka refuzuar në shkelje të kushtetutës dhe rregullores për të caktuar një datë për zhvillimin e mocionit të kërkuar nga grupi parlamentar i PD për një debat sa i takon fenomenit të shitjes, prodhimit të lëndës narkotike. Mocioni ynë bazohej në të dhëna konkrete të raporteve ndërkombëtare që e listojnë Shqipërinë në krye të vendeve problematike qoftë sa i përket prodhimit të lëndëve narkotike por edhe si rrugë tranziti për transportin e lëndëve narkotike, ishte totalisht i bazuar në të drejtën që opozita ka për të kërkuar mocione të tilla”, tha Bardhi.
Ai përsëriti se sipas tij ky mocion bazohet në të dhëna konkrete të raporteve ndërkombëtare ndërsa theksoi se do t’i qëndrojnë deri në pranim. Bardhi kërkoi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla caktimin e një date për mocionin brenda 30 ditëve.
“Pa dyshim që ne do i qëndrojmë mocionit që kemi paraqitur, është e drejtë e deputetëve të opozitës. E vetmja kompetencë që ka kryetarja e Kuvendit është të caktojë një datë. mocioni është i detyrueshëm për t’u zhvilluar brenda 30 ditëve nga momenti i dorëzimit”, tha Bardhi.
Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi deklaroi se nuk e mbështesin kërkesën e opozitës për mocion me debat, sepse çështjet për të cilat është kërkuar janë ezauruar nga gjyqësori apo edhe në komisione hetimore parlamentare.
Dy javët e fundit një nga ngjarjet që është risjellë në vëmendje nga Gazmend Bardhi është ajo e laboratorit të kokainës në Xibrakë, në sfondin e të cilës deputeti demokrat thotë se qëndrojnë edhe lidhjet familjare të kryeministrit të vendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




