Mandati i Xhaçkës- Nikolla rrëzon kërkesën e Bardhit: Çështja është objekt i Komisionit të Mandateve

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka hedhur poshtë të martën kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të “Rithemelimit”, Gazment Bardhi, lidhur me mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, me argumentin se, sipas Rregullores së Kuvendit, kërkesa e parashtruar “është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve”.
Bardhi, një ditë më pare, kërkoi nga kryetarja e Kuvendit të thërriste mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të diskutuar dhe vendosur në rend të ditës çështjen e mandatit të deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, për të cilin grupi parlamentar i “Rithemelimit” të PD-së pretendon se është në konflikt interesi.
Në shkresën dërguar Bardhit, e cila është bërë publike edhe për mediat, Nikolla sqaron se kjo çështje nuk lidhet me punën e Konferencës së Kryetarëve, por me organet e tjera të Kuvendit.
Sipas kryetares së Kuvendit, lidhur me shkresën me anë të së cilës kërkohet thirrja e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve me rend dite: “Përfshirjen për shqyrtim në seancën më të afërt plenare të zbatimit të vendimit nr.1/2023 të Gjykatës Kushtetuese, duke urdhëruar dërgimin e çështjes së mandatit të deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese”, Nikolla sqaron se Këshilli për Legjislacionin, ka marrë në shqyrtim vendimet nr. 1 dhe nr. 2, datë 23.1.2023, të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e deputetes Olta Xhaçka.
“Këshilli për Legjislacionin në përfundim të diskutimeve për shqyrtimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në raportin tij ia adreson çështjen për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, shkruan Nikolla.
Sipas shkresës së krye parlamentares, në bazë të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit, si dhe të raportit të Këshillit për Legjislacionin, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do ta marrë në shqyrtim raportin dhe në bazë të pikës 7 të këtij neni, pas përfundimit të diskutimeve, Këshilli di ti paraqesë Kryetarit raportin, i cili përmban të gjitha qëndrimet për çështjen.
“Raporti i përcillet seancës plenare brenda dy javëve nga përfundimi i shqyrtimit të çështjes . Sa më lart, në respektim të Rregullores së Kuvendit, kërkesa që ju parashtroni është objekt i organeve të tjera të Kuvendit dhe jo i Konferencës së Kryetarëve”, përfundon Nikolla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



