Balla: PS ka dëshmuar se është gjithmonë një parti që ka ditur të garantojë shkëmbimin e brezave

Prania e sa më shumë të rinjve në jetën politike të PS-së, ka qenë të shtunën në qendër të një takimi që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, njëherësh drejtues politik i PS-së në qarkun e Fierit, zhvilloi në Patos, në kuadër të procesit të anëtarësimeve të reja në PS.
Balla, në fjalën e tij përpara të pranishmëve, theksoi se synimi i këtij procesi nuk është thjesht përmirësimi i prezencës së të rinjve në PS, por është edhe një proces rienergjizimi, duke i hapur më shumë dyert për kontribute të reja nga të gjitha moshat e profesionet.
“Në këto 33 vite të kontributit të PS-së në jetën politike të vendit, PS ka dëshmuar se është gjithmonë një parti që ka ditur të garantojë shkëmbimin e brezave, dhënien e mundësisë së të rinjve që të japin më të mirën dhe kontributi e tyre për vendin”, tha Balla.
Sipas tij, PS është e vetmja forcë politike që u ka dhënë të gjithëve mundësinë që të bëhen pjesë e vendimmarrjeve.
“PS është një parti që di të ndryshojë brezat. Tani jemi në një moment tepër të rëndësishëm për të shpalosur e diskutuar me njerëzit kudo se çfarë synon të bëjë PS nga sot, deri në vitin 2030”, tha Balla.
Gjatë këtij takimi, drejtuesi politik i qarkut të Fierit solli në vëmendje edhe raportin e Standard&Poor’s, që e vlerësoi Shqipërinë me një nivel tjetër në aspektin ekonomik.
“Shqipëria prej sot ka kaluar në një nivel tjetër vlerësimi më të lartë, si një ekonomi më e besuar për investimet e huaja dhe ku qeveria ka garantuar uljen e borxhit. Një meritë të veçantë ka rritja e ekonomisë shqiptare me gati 15% nga viti 2019 deri në 2023 dhe këtu ka luajtur rol të rëndësishëm turizmi”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




