Përplasjet në Kuvend të grupit të Berishës, Pampuri: Bëhet për interesa personale, s’ka lidhje me opozitën

Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri ka deklaruar në studion e emisionit “Ekspres” në RTSH 1 se grupimi politik i ish-kryeministrit Berisha po bllokon komisionet parlamentare dhe po shkakton incidente në Kuvend për interesa krejt personale.
Sipas Pampurit, edhe pse grupimi që drejton Berisha është në opozitë, nuk po bën dot opozitën e duhur pasi sipas saj, po lejon mazhorancën që të votojë projektligjet pa pasur më parë diskutime dhe debate.
Ajo vuri në dukje se qytetarët nuk po arrijnë të kuptojnë se çfarë projektligjesh po votohen në Kuvend ndërsa seanca plenare shndërrohet në arenë përplasjesh.
“Qytetarët nuk e dinë se cilat ligje po votohen dhe diskutohen sepse nuk ka diskutime, ka vetëm votime. Qëllimi i mazhorancës shkon deri në fund, nga ana tjetër kemi disa karrige që përmbysen dhe flakadanë që ndizen. Janë dy grupe, mazhoranca dhe Foltorja për arsyet e veta që i dinë vetë”, u shpreh Pampuri.
Deputetja demokrate, që bën pjesë në formacionin politik të drejtuar nga Lulzim Basha theksoi se grupi politik i Berishës ka krijuar amulli në seancat plenare për interesa krejt personale.
“Ndodh ajo që ky grupim krijon këtë amulli për interesat personale të disa aty brenda. Opozitë janë por problemi është që nuk po bëjnë opozitën e duhur. Po lënë mazhorancën të votojë të gjitha projektligjet ndërkohë që po bllokojnë çdo debat në Parlament”, theksoi Pampuri.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Oriola Pampuri: U bë kohë që seancat parlamentare nuk zhvillohen në mënyrë normale. Nga njëra anë kemi flakadanë, nga ana tjetër kemi projektligjet që votohet nga i pari te i fundit mes asaj amullie. Qytetarët nuk e dinë se cilat ligje po votohen dhe diskutohen sepse nuk ka diskutime, ka vetëm votime. Qëllimi i mazhorancës shkon deri në fund, nga ana tjetër kemi disa karrige që përmbysen dhe flakadanë që ndizen. Janë dy grupe, mazhoranca dhe Foltorja për arsyet e veta që i dinë vetë.
Grupi i Foltores janë një grup më i madh se sa grupi juaj ?
Oriola Pampuri: Partia Demokratike është ajo që sot ka kryetar partie z. Lulzim Basha. Kjo është PD-ja. Disa prej tyre thonë që jemi pjesë e PD-së por nuk pranojmë Lulzim Bashën kryetar. Kjo është pastaj paradoksi tjetër. Nëse ti nuk e pranon këtë je i lirë të ndjekësh çdo lloj grupimi tjetër. Por Partia Demokratike është kjo. Nga përgjigja që është dhënë nga gjykata, është që Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike.
Problemi është, në Kuvend çfarë ndodh ?
Oriola Pampuri: Ndodh ajo që ky grupim krijon këtë amulli për interesat personale të disa aty brenda. Opozitë janë por problemi është që nuk po bëjnë opozitën e duhur. Po lënë mazhorancën të votojë të gjitha projektligjet ndërkohë që po bllokojnë çdo debat në Parlament.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




