Kaso: Çështja ndaj Belerit duhet të pushohet, agjenti provokator u pagua nga Policia

Politikë | 3 vite më parë

 

Ivi Kaso, zyrtari i lartë i PD-së,  i bëri thirrje sot Prokurorisë të pushojë çështjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Blerit sa më parë. “Çdo vonesë përhap njollën e papërshtatshme për të se është në shërbim të Edi Ramës”, nënvizoi Kaso.

“Padia dhe procesi kundër Fredi Belerit, të cilën Partia Demokratike e ka konsideruar që në nisje si politik dhe të stisur, – theksoi Kasoi, – ra përfundimisht dje, në seancën e zhvilluar në SPAK.

“Në këtë seancë u bënë disa pohime kyçe për çështjen, të cilat jo vetëm rrëzojnë akuzën, por edhe e vendosin Prokurorinë në pozitat e një aksesori të qeverisë dhe orekseve politike të saj” u shpreh Kaso.

Kështu, tha ai,  i etiketuari si bashkëpunëtor i drejtësisë, Arsen Ramaj, që ka shërbyer si ‘agjent provokator’ i kandidatit të opozitës për Himarën, e pranoi dje se është paguar nga policia e Shtetit për bashkëpunimin dhe kurthin e z. Beleri, që ka çuar në arrestimin e këtij të fundit.

Së dyti, sipas Kasos,  shefi i Komisariatit te Vlorës, Ermal Hajdini, ish Shef Policie në Himarë gjate zgjedhjeve të 14 majit, pranoi dje botërisht se ka instruktuar dhe përdorur kallëzuesin, Arsen Ramaj sa u takon veprimeve dhe bisedave qe duhej të bënte me z.Beleri.

Hajdini pohoi gjithashtu faktin se Arsen Rama është paguar nga Policia e Shtetit.

Më tej Kaso shprehet se, “Partia Demokratike është e bindur se këto dëshmi e rrëzojnë përfundimisht procesin politik ndaj kandidatit të opozitës për Bashkinë Himarë. Kodi Penal në nenin 294/a pika 3 e thotë qartë:“Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e Policisë. Kur provohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.Siç del nga dëshmitë, edhe të provokatorit edhe të cytësve të tij, gjithçka ndaj Belerit ka qenë e programuar. Në këto kushte sipas ligjit shqiptar, të bazuar në traditat më të mira legjislative të botës së qytetëruar, akuza bie dhe çështja pushon”.

Mospushimi i çështjes dëshmon për të disatën herë faktin se procesi kundër z. Beleri është montim politik. Sado të mundohet Rama dhe tellallët e tij mediatikë ta veshin me flamurin e nacionalizmave, ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut, pavarësisht se cilës etnie apo shtetësie i përket i persekutuari.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme