Kara: PD do të mbytet bashkë me Berishën, nëse nuk ndahen prej tij

Politikë | 3 vite më parë

Juristi Romeo Kara ka deklaruar në emisionin “3D” në RTSH se Partia Demokratike do të mbytet nëse demokratët nuk ndahen prej Sali Berisha.

Sipas Karas, ata që lanë pushtetin në vitin 2013 duhet të ishin larguar me kohë nga radhët e opozitës së bashku me Sali Berishën.

“Kjo valë drejtësie ka futur në krizë të gjithë politikën shqiptare. E çuditshme është që po reflektohet më shumë te ish-pozita.

Ajo e ka lënë peng dhe nuk i ka lënë mundësi vetes që të krijonte një frymëmarrje.

Pra, ata njerëz që lanë pushtetin në 2013, s’duhet të ishin më pjesë e opozitës. Duke qëndruar aty dhe duke i mbajtur peng ato interesat që kanë akoma.

Po shohim që po dalin bizneset jo vetëm të Berishës por edhe te njerëzit e Berishës”, u shpreh Kara.  

Kara theksoi se opozita nuk ka nevojë për aksion por për frymë. Sipas tij, deputetët e opozitës e kanë humbuar orientimin për shkak të goditjes që ka marrë Berisha nga drejtësia.  

“Nuk ka nevojë vetëm për aksion. Ai është aksion për të krijuar një furtunë në gotë sepse e provuan që dolën edhe në rrugë. E provuan edhe me zgjedhjet dhe që nuk votohen. E duan të gjejnë një rrugëdalje dhe e kanë humbur orientimin.

Goditja e Berishës po përjetohet keq. Ata nuk po gjejnë dot një lider dhe një person që t’i bashkojë.

Jo vetëm që nuk kanë nevojë për aksion, por kanë nevojë për frymë. Nuk e kanë frymën. Duhet të bëjnë paqen me veten”, theksoi juristi në emisionin “3D” në RTSH1.

Kara nënvizoi se tashmë Shqipëria duhet të ndahet me vepra nga kjo kategori e politikanëve që synojnë vetëm përfitimin material.

Ai vuri në dukje se historia kur politika si instrument për të vjedhur duhet të marrë fund sa më parë.

“Ne duhet të ndahemi nga ajo periudhë jo me retorikë por jo me vepra. Në momentin që tjetri nuk ikën duhet ta largosh. Nuk janë të aftë ta largojnë.

Basha është treguar elegant dhe do të mbijetojë ajo pjesë. Ka dëgjuar këshillat e ndërkombëtarëve.

Ky kundërrevolucioni që po bën Berisha nuk e nderon as atë as opozitën. Duhet ta pranojmë do të vijë një ditë drejtësia në Shqipëri.

Nuk mund ta zhdukin drejtësinë. Do të vijë një ditë që kjo etapë zallamahie që shko në politikë merr edhe ik do të marrë fund”, tha më tej Kara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme