Tabaku: Qeveria po shkel të drejtën kushtetuese të opozitës, të reflektojë mbi progresraportin

Politikë | 3 vite më parë

Deputetja demokrate Jorida Tabaku në një prononcim për media jashtë selisë së Parlamentit, ka deklaruar se qeveria po pengon punën e opozitës, dhe po e shkel me këmbë të drejtën kushtetuese të kësaj force politike.

Tabaku u ndal dhe te progresraporti, duke thënë se qeveria duhet të reflektojë dhe të kuptojë që procesi i integrimit, lufta ndaj korrupsionit, reformat dhe gjithë përfshirja, kërkon vullnet politik.

“Qeveria i hedh poshtë kërkesat dhe pr.ligjet e propozuara nga opozita, dhe thotë se: ne nuk  votojmë se i ka propozuar opozita. Opozita në Parlament kaq hapësira parlamentare ka, të propozojë pr.ligje, t’i diskutojë në Komisionet Parlamentare, t’i diskutojë në seancë. Por në momentin kur puna 1 –vjeçare  pas komisionit hetimor përfundon me forcën e kartonëve, rrëzohet çdo iniciativë, qoftë dhe ajo e mirë unë besoj e ndodhemi në limitet e hapësirës parlamentare. Këto shqetësime janë ngritur dhe nga progresraporti.

Hapësira që ka sot opozita për të ushtruar kontroll mbi qeverinë, hapësira që ka për komisionet hetimor dhe hapësira që ne kemi për të kërkuar llogari ç’po i ndodh me financat publike dhe vendimmarrjen për korrupsionin. Më 8 dhjetor të 2022 kam propozuar dhe ligjin për komisionet hetimor. Dhe ka 1 vit që fle atje në sirtar dhe thonë se duhet miratuar një ligj për të hapur komisionet hetimore ndërkohë që s’kanë marrë asnjë masë për të miratuar ligjin e ri.

Ligji për komisionet hetimore që erdhi pas punës së komisionit të incineratorëve i propozuar nga grupi parlamentar i PD-së, është shumë I mirë. Por sidoqoftë, puna për të ngritur komisione hetimore nuk duhet penguar. Fokusi sot duhet të jetë, një reflektim për atë që progresraporti publikoi”, tha Tabaku.

Pyetur nëse mbështet reagimin e opozitës, dhe protestës në Kuvend, duke bllokuar funksionimin normal të seancave plenare, Tabaku u shpreh se secili ka mënyrën e vet se si e shpreh revoltën dhe se ky është vendimi i grupit parlamentar.

“Në të gjitha fushat kryesore, Shqipëria nuk ka asnjë përmirësim. Ka një vit që qeveria nuk ka marrë asnjë reformë. Reforma në drejtësi ka nevojë të rifreskohet dhe të bëhen ndryshe, qeveria refuzon ta miratojë. Ndërkohë që I vetmi ligj I miratuar me konsensus, I ardhur nga opozita, është rritja e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit, ku opozita do jetë më e përfshirë. Në momentin që qeveria kupton që ky proces i integrimit kërkon vullnet politik, luftë ndaj korrupsionit, reforma, gjithë përfshirje, atëherë kjo do ndodhë.

Unë besoj se progresraporti na dha të drejtë. E drejta kushtetuese e opozitës s’duhet të shkelet me këmbë”, u shpreh Tabaku.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme