Debati/ Curri: Do dënohet Berisha? Beqiri: Do përgjigjet se nuk të lënë nënat shamizeza

Politikë | 3 vite më parë

Avokati Idajet Beqiri është përplasur në studion e emisionit “3D” në RTSH 1 me analistin Arian Currin lidhur me shpalljen nongrata të Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe më pas nisja e hetimit nga SPAK dhe vendosja e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Posaçme, për shkak të akuzës për korrupsion pasiv në rastin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Sipas Beqirit, SPAK nisi me këtë rast ndaj Berishës për të arritur më pas te dosjet edhe më të nxehta siç janë ato të ÇEZ-DIA, Gërdeci, 21 janari, madje sipas tij, ish-kryeministri do të hetohet edhe për ngjarjet tragjike të vitit 1997. Ndërsa nga ana e tij, Curri theksoi se me shumë mundësi ish-kryeministri Berisha nuk do të hetohet për këto ngjarje.

Debati në studio:

Idajet Beqiri: Duhet të jemi koherent, janë individët apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E para nuk është çështje personash kjo punë, por është çështje e DASH-it.

Arian Curri: Nuk është se ka ndonjë rëndësi kjo, ju a bini dakord apo nuk bini dakord që janë nën kontrollin e amerikanëve.

Idajet Beqiri: Nuk janë nën kontrollin e amerikanëve, kanë mbështetjen e fuqishme amerikane. Nuk do vijë Amerika të marrë kodin e procedurës penale të Shqipërisë dhe të fillojë të bëjë hetimet.

Arian Curri: Amerika ka marrë Kushtetutën. A është shpallur nongrata për pasurim të familjarëve?

Idajet Beqiri: Jo vetëm, tha korrupsion të lartë shtetëror.

Arian Curri: Të njëjtat akuza thotë SPAK-u dhe i çon në gjykatë.

Idajet Beqiri: Duke e ditur që ka më shumë se kaq, fillon nga diçka që është më e provuara, më pas çështjet tjera. Pse do mbarojë ÇEZ-DIA thua ti?  Do rrijë Berisha pa u përgjigjur për ÇEZ-DIA-n, do rrijë pa u përgjigjur për 21 janarin, do rrijë pa u përgjigjur për Gërdecin, do rrijë pa u përgjigjur për luftën civile që u bë ‘97.

Arian Curri: Me shumë mundësi po

Idajet Beqiri: Jo jo, do përgjigjet se nuk do të lënë ato nënat shamizeza të Vlorës dhe i qajnë vit për vit nënat dhe djemtë e tyre. Si ajo Durda. Kështu thoshim ne që s’do bëhet asgjë, por ajo Durda fitoi gjyqin në Gjykatën e Strasburgut bashkë me gjithë të tjerët.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme