“Berisha”, pse heshtin Rama dhe Basha? Gazment Bardhi befason: Basha hesht i detyruar

Me gjithë gjendjen e luftës mes kampit Berisha dhe SPAK-ut, Gazment Bardhi po përpiqet të mbajë një ekuilibër të vështirë.
“Kur i qëndron parimit dhe nuk e lidh çështjen me individë, është e lehtë për të ruajtur balancat dhe për të pasur qëndrim korrekt politik për çështjet që lidhen me drejtësinë. Institucionet e drejtësisë duhet të udhëhiqen nga Kushtetuta dhe vetëm kështu forcohet besimi ndaj punës së tyre,” tha kreu i grupit parlamentar në një intervistë për emisionin “Pa censurë”.
Por ndryshe nga Gazment Bardhi, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë heshtur për aktakuzën e ngritur ndaj ish kryeministrit. Ky qëndrim i heshtur i tyre, sipas zotit Bardhi, ka shpjegimet e veta.
Dhe deklaratat e tij ishin befasuese në adresë të Lulzim Bashës.
Në intervistën me gazetaren Elona Meço, zoti Bardhi tha se “Lulzim Basha hesht i detyruar” dhe se institucionet e drejtësisë do të duhet te zbardhin arsyet e kësaj heshtje.
Elona Meço: Jua ka vrarë veshin heshtja në dy kampet politike, njëri është kampi i kryeministrit, që kërkonte me insistim nga SPAK një vit e gjysmë më parë të çonte para drejtësisë Berishën dhe Metën. Tjetri është kampi i zotit Basha, i cili i kërkonte SPAK-ut të ndëshkonte politikanët e korruptuar, por për këtë çështje nuk ka mbajtur asnjë qëndrim. Pse mendoni që po veprojnë kështu?
Gazment Bardhi: Mendoj se, për sa kohë zoti Berisha është një nga faktorët më të rëndësishëm në opozitë, çdo veprim i drejtësisë ndaj tij, do të duhet të marrë vëmendjen e faktorëve të tjerë politikë, përfshirë këtu kryeministrin. Pra do të duhet të ketë një qëndrim të tij dhe të zotit Basha, pasi zoti Basha ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i zotit Berisha prej vitit 2005. E kam një shpjegim pse heshtin, por besoj që për opinionin publik shpjegimi do të zbulohet në vijimësi.
Elona Meço: Pse ky mister kaq i madh?
Gazment Bardhi: Sepse nuk është çështje e imja. Ju do të shikoni që keni për të zbuluar arsyen përse disa janë te detyruar të heshtin për çështje të caktuara.
Elona Meço: Janë të detyruar? S’po e bëjnë për strategji komunikimi?
Gazment Bardhi: Po, janë të detyruar. Janë të detyruar të heshtin për çështje të caktuara
Elona Meço: Këta “disa” janë edhe Rama, edhe Basha apo vetëm njëri nga këta të dy?
Gazment Bardhi: Zoti Rama ka një mal me çështje që do të duhet të hetohen në SPAK, por për çështjen konkrete, zoti Basha është i detyruar të heshtë.
Elona Meço: Sa do të duhet të presim për këtë, pasi qenka shumë interesante.
Gazment Bardhi: Do të duhet të presim që institucionet të bëjnë punën e tyre.
Elona Meço: Institucionet e drejtësisë?
Gazment Bardhi: Patjetër që institucionet e drejtësisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




