Turi i takimeve në Tiranë, Basha: Duhet veting në politikë që të pastrohet

Njësia 12 ka qenë në qendër të takimeve të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. me qytetarët. Takimet i ka filluar me banorë të zonës së Kopshtit Zoologjik, me të cilët foli për situatën e vështirë social- ekonomike që po largon rininë nga Shqipëria dhe po rëndon familjet shqiptare.
“Qeveria nuk ka shqetësim hallet dhe problemet e qytetarëve, të rinjve që po ikin çdo ditë nga Shqipëria në kërkim të një jetë më të mirë, por ka shqetësim legalizimin e vjedhjes përmes inceneratorëve, check up, apo tenderave dhe koncesioneve korruptive”, tha Basha.
Kreu i PD publikoi edhe zgjidhjet që ofron PD për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë që, sipas tij, nis me pastrimin e politikës.
“Shqipëria ka nevojë për zgjidhje dhe kjo, sipas Partisë Demokratike, vjen me pastrimin e politikës, ndarjes me krimin dhe largimit nga sistemi të politikanëve të korruptuar. Kjo është plotësisht e mundur përmes vetting-ut në politikë”, u shpreh kryetari i PD.

Po të premten kreu i Partisë Demokratike zhvilloi takime edhe me fermerët në Baldushk, në të cilat akuzoi qeverinë se “nuk po i jep vëmendjen e duhur sektorit të bujqësisë.”
Sipas tij, bujqësia po vuan sot pasojat e krizës dhe mungesës të vëmendjes së qeverisë.
“Fermerët shqiptarë paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe kanë mbështetjen më të ulet me subvencione për prodhimin e tyre. Ndërkohë që fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe krejt i vetëm në një treg të pabarabartë, fermeri kosovar dhe ai maqedonas përfiton çdo vit subvencione nga shteti dhe një sërë lehtësirash të tjera”, theksoi Basha.
Sipas tij, bujqësia duhet të jetë prioritet për çdo qeveri dhe se subvencionet dhe investimet në infrastrukturën bujqësore duhet të jenë një zë i fortë ne buxhetin e shtetit.
“Duhet të krijohen lehtësirat e nevojshme për biznese prodhuese, të cilat do t’i përpunojnë produktet bujqësore që ato të mos kalben, në këtë mënyrë ndihmojnë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Basha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




