Basha pret Krishbaumin: PD mbështet punën e SPAK-ut

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se forca politike që ai drejton mbështet SPAK-un në punën e tij, teksa ky institucion ka marrë nën hetim ish-kryeministrin Berisha dhe Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij detyrim paraqitje.
Gjatë takimit me Gunther Krishbaum, zëdhënësin e Çështjeve Evropiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane, Basha ka theksuar se “lufta kundër korrupsionit është prioritet kombëtar i Partisë Demokratike, jetik për ecjen përpara dhe zhvillimin ekonomik të vendit”
“Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara ne botë dhe kjo e bën edhe me emergjente luftën kundër këtij fenomeni.
Partia Demokratike mbështet punën e institucioneve të drejtësisë dhe inkurajon SPAK të vijojë me vendosmëri përpjekjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë ata që kanë abuzuar më paratë dhe besimin e qytetarëve”, është shprehur Basha, sipas njoftimit të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, Basha e njohur Krishbaumin edhe me iniciativën për vetting-un e politikanëve, “proces i cili synon të pastrojë politikën duke bërë transparencë mbi ligjshmërinë e pasurisë dhe pastërtinë e figurës në raport me lidhjet me krimin e organizuar të politikanëve”.
“Një vend të veçantë në këtë takim zuri edhe reforma zgjedhore dhe domosdoshmëria për t’i dhënë fuqi votës së qytetarëve dhe garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Duke u ndalur te zhvillimet në Partinë Demokratike, Basha nënvizoi se kjo forcë politike është në një proces riorganizimi të saj, ku shumë të rinj tashmë janë bërë pjesë e përgjegjësisë për të ndërtuar alternativën që presin dhe duan shqiptarët.
“Brenda marsit të vitit të ardhshëm, PD do të përzgjedhë ekipin e kandidatëve për deputetë dhe do të nisë diskutimet publike mbi programin e saj, me propozime dhe objektiva që do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përshpejtojnë futjen e saj në BE”, përfundon në njoftimin e saj, Partia Demokratike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




