Nikolla: Jemi në linjë me SHBA në luftën kundër terrorizmit dhe sigurisë kibernetike

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nikolla është pritur nga kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, Tomas Kin (o. Thomas Kean, Jr.)
Në takim është folur për mbështetjen e Kongresit dhe të Kuvendit për partneritetin strategjik mes ShBA dhe Shqipërisë, zgjerimin e marrëdhënieve mes Dhomës dhe Kuvendit, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike.
Kryetarja Nikolla dhe kryetari Kean diskutuan mbi mbështetjen e Kongresit për ndërhyrjen e komunitetit euro-atlantik për depërshkallëzimin e situatës në Veri të Kosovës, dialogun Kosovë-Serbi si e vetmja rrugë drejt paqes, Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si një instrument për stabilitetin në Kosovë. Shqipëria është plotësisht në një linjë me SHBA dhe BE për çështjet e mësipërme.
Gjithashtu në takim u diskutua mbi integrimin euroatlantik si i vetmi destinacion i natyrshëm Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe nevojën e mbrojtjes së rajonit nga influencat joperëndimore.
Sipas bashkëbisedueseve, Shqipëria po udhëheq me sukses Procesin e Berlinit dhe po kontribuon si një faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe Integrimi rajonal.
Kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar takime dhe me bashkëkryetarët e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë (Albania’s Caucus) kongresmenët Robert Aderholt dhe Xhim Hajmes (o. Jim Himes).
Kryetarja Nikolla diskutoi mbi kontributin e grupeve të miqësisë për nxitjen e marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit dhe mbështetjen e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Fuqizimi i marrëdhënieve mes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Kuvendit do të nxisë edhe bashkëpunimin mes institucioneve dhe rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve si faktor zhvillimi, demokratizimi, integrimi dhe sigurie në rajon.
Në takimet në Kongres Kryetarja Nikolla prezantoi edhe kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për t’iu bashkuar programit të Dhomës së Përfaqësuesve “Partneriteti për Demokracinë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




