Fushata zgjedhore online dhe mbikqyrja në epokën digjitale, Celibashi: Duhet përmirësuar kuadri ligjor

“Mbikqyrja e Fushatave Zgjedhore në Epokën Digjitale: Mundësi për të Zgjeruar Rregullimin dhe Transparencën në Shqipëri” ishte në qendër të një aktiviteti të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me International IDEA dhe Qendra e Ligjit e Finlandës.
Në fokus të aktivitetit ishte sfida e re të masivizimit të fushatave zgjedhore online dhe mënyrën se si aktorët politikë shpenzojnë gjithnjë e më shumë para në këtë sferë.
Fushata online operon shpesh në një mjedis me rregulla të paqarta dhe ku militojnë aktorët negative, ndaj institucionet mbikqyrëse e kanë të vështirë të ndjekin ritmin e shpejtë të ndryshimeve në këtë mjedis digjital.
Për të analizuar sfidat e mësipërme nëpërmjet një hulumtimi të thellë të problemeve specifike që Shqipëria përballon, International IDEA dhe Qendra e Sundimit të Ligjit e Finlandës kanë zhvilluar studimin “Menaxhimi i Fushatës së Zgjedhjeve në Epokën Digjitale: Perspektiva për Rregullim dhe Transparencë më të Madhe në Shqipëri”.
Në këtë tryezë u ndanë gjetjet paraprake të studimit me palët e interesuara në proceset zgjedhore.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi cilësoi si sfida kryesore mungesën e ndryshimeve të shpejta në legjislacionin aktual për të reflektuar zhvillimet në fushën e fushatave online, mungesën e kapaciteteve të mbikqyrjes, mosrespektimi i periudhave të heshtjes zgjedhore, fushata të paligjshme dhe shpenzime online nga palë të treta, si edhe raportimet e gabuara të shpenzimeve në media sociale.
Komisioneri Celibash theksoi se, “është e nevojshme të përmirësojmë kuadrin ligjor, të rrisim kapacitetet e organeve të mbikqyrjes dhe të përcaktojmë standarde të qarta të transparencës për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor dhe rritur besueshmërinë në politikë”.
Zyrtarja e Programit të International IDEA, zj. Blerta Hoxha theksoi rëndësinë e adresimit në reformën e ardhshme zgjedhore, të sfidave me të cilat po përballet vendi ynë sa i përket fushatave zgjedhore online dhe shpenzimeve të partive politike/kandidatëve në platformat elektronike.
Të pranishmit ndanë mendimet e tyre lidhur me mënyrat se si duhet të adresohen problematikat e zhvillimit të fushatave zgjedhore online, si edhe dakordësuan për mbajtjen e diskutimeve të mëtejshme si përpjekje bashkëpunuese për të kontribuar në rekomandime për reformimin e kornizës rregullative në Shqipëri për Financimin e Fushatave Online.
Aktiviteti vjen në kuadër të projektit “Integriteti dhe Besimi në Zgjedhjet Shqiptare: Nxitja e Transparencës së Financave Politike dhe Përdorimit të Sigurt të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit”, i ndërmarrë nga International IDEA dhe Qendra e Ligjit e Finlandës me përfitues të drejtpërdrejtë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




