Sulmi ndaj spitalit në Gaza, Rama: E tmerrshme ajo që ka ndodhur, bota demokratike të gjejë dhe të dënojë autorët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi sulmin ndaj një prej spitaleve në Gaza, ku mbetën të vdekur 500 persona.
Përmes një reagimi të gjatë, kryeministri Rama shkruan se sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe “zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken”
Sipas Ramës, kjo ngjarje nuk ka asnjë justifikim për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Ndërsa nënvizon se kjo ngjarje duhet të hetohet deri në fund pavarësisht pretendimeve të ndryshme të Izraelit dhe palestinezëve që akuzojnë njëra-tjetrën për sulmin.
“Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.
Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit”, shkruan Rama.

Rama vë në dukje se Shqipëria dhe bota demokratike qëndrojnë në anën e Izraelit, por njëherësh sipas Ramës duhet të jenë garantë e të vërtetës të asaj që ka ndodhur në Gaza. Ndërsa kërkoi hetim dhe dënimin e këtij akti.
“Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, përfundon Rama në reagimin e tij.
Sulmi ndaj spitalit në Gaza, ushtria izraelite hedh poshtë akuzat: E ka bërë Xhihadi Islamik
Ndërkaq forcat e Mbrojtjes izraelite kanë hedhur poshtë akuzat për sulmin vdekjeprurës në spitalin e Gazës. Sipas ushtrisë izraelite, goditja ndaj spitalit në qytetin e Gazës nuk mund të ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit.
Nga ana e tyre, zyrtarët palestinezë kanë fajësuar Izraelin për bombardimin që besohet se ka vrarë qindra njerëz, ndërsa zyrtarët izraelitë thonë se raketa e lëshuar nga Xhihadi Islamik ka qenë ajo që shkaktoi shpërthimin.
Duke përdorur imazhe që tregojnë dëmtime nga zjarri në disa automjete në parkingun e spitalit, montazhi i paraqitur nga IDF sugjeron se një zjarr shpërtheu në spital si rezultat i një lëshimi të dështuar të raketës nga grupi i Xhihadit Islamik.
IDF shtoi se nuk kishte shenja të dukshme të kratereve apo dëmtime të konsiderueshme në ndërtesa që do të rezultonin nga një sulm ajror.
“Paketa e parë e informacionit” ishte “dëshmi që mbështet qartë faktin se nuk mund të ishte një bombë izraelite”, tha zëdhënësi i IDF-së Jonathan Conricus.
“Nuk ka pasur dëme kolaterale apo të konsiderueshme në ndërtesat përreth. Asnjë krater dhe asgjë që është e ngjashme me vendet ku kanë goditur bombat izraelite,” tha Conricus.
Conricus tha se IDF ishte e ngadaltë në lëshimin e informacionit sepse iu deshën orë të tëra që ushtria izraelite “të hetonte dhe të arrinte në në një përfundim”, transmeton CNN.
Lëvizja Xhihadi Islamik mohoi pretendimet e Izraelit se organizata qëndronte pas sulmit duke theksuar se nuk përdor objekte publike si spitalet për qëllime ushtarake, sipas një deklarate me shkrim të botuar të mërkurën, e cila i përshkruan akuzat izraelite si “të rreme dhe të pabaza”.
Nga ana e saj, Ministria Palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se ndërtesa po strehonte mijëra njerëz të zhvendosur kur u bombardua të martën, ndërsa shumë viktima mendohet se janë ende nën rrënoja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




