Emisioni “3D” në RTSH, Zhulali: Rama vrau krijesën e tij që ishte “Ballkani i Hapur”

A e paralelizojë ‘Ballkani i Hapur’, ‘Procesin e Berlinit’ dhe cilat ishin mesazhet kryesore që Samiti i organizuar në Tiranë dha sot? Ky debat ishte në qendër të emisionit “3D” të gazetarit Alban Dudushi në RTSH, ku të ishin të ftuar në studio: Toni Gogu, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, juristi Plarent Ndreca, Ilda Zhulali, sekretare për Politikën e jashtme të Partisë Demokratike dhe Lajla Përnaska, ish-deputete e Partisë Demokratike.
Sipas Zhulalit, nisma ‘Ballkani i Hapur’ ishte tërësisht e dështuar sepse aty në rradhë të parë mungonte Kosova, plus që kishte rezerva edhe nga disa vende të tjera.
Zhulali komentoi se organizimi i Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ishte një lëvizje e detyruar e Ramës, dhe një mënyrë që t’i kthehej ‘Procesit të Berlinit’.
“Rama e vrau krijesën e tij që ishte ‘Ballkani i Hapur’. Ai nuk u konsultua me askënd kur e mbylli. Kur nisesh në një rrugëtim me disa partnerë, s’mund ta mbyllësh vetëm. Rama-Vuçiq ishin dy këmbët e ‘Ballkanit të Hapur,” nënvizoi Zhulali.
Sipas saj, “Procesi Berlinit” ka nisur para “Ballkanit të Hapur”.
“E nisi Merkel pasi u duk se Serbia po e linte pas të shkuarën. Pastaj lindi ideja e shkëmbimit të territoreve. ‘Procesi i Berlinit’ ngeci për shkak të ngritjes së tezës për shkëmbimin e territoreve. Të dy nismat ishin në garë me njëra- tjetrën. Tashmë duket se Procesi po kthehet në shina. Pra, është një ftesë që vendet e Ballkani Perëndimorë të ecin drejt BE-së. Gjithësesi, negociatat ende nuk janë hapur. Ka 9 vite që nuk hapen sepse qeveria shqiptare ka probleme me zgjedhjet dhe korrupsionin,” u shpreh Zhulali.
Sipas saj, popujt e Ballkanit nuk janë të lodhur me përpjekjet për anëtarësim në BE.
“Serbia ka një specifikë, sepse Vuçiç, ndryshe nga vendet e tjera, nuk ka nxitur një frymë pro evropiane. E ka radikalizuar atë dhe ka shkuar te tezat e Millosheviçit. Forcat properëndimore janë lënë të vetmuara. Shqiptarët s’janë të lodhur nga përpjekja për në BE, por janë të lodhur ndaj qeverisë ndaj po marrin valixhet e po shkojnë në BE,” theksoi Zhulali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




