Mitsotakis: Beleri të betohet si kryebashkiak, kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 3 vite më parë

Kryeministri i Greqisë, Kiriakos (Kyriakos) Mitsotakis gjatë vizitës së tij në Tiranë në kuadër të Samitit për Procesin e Berlinit, deklaroi se kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, ka të drejtë të betohet, ndonëse është në burg.

“Është një e drejtë e patjetërsueshme që buron nga rendi kushtetues shqiptar. Një e drejtë plotësisht në përputhje me rregullat evropiane të shtetit të së drejtës. Rëndësi ka që ai të betohet për të lënë këtë hije të rëndësishme që prek padyshim marrëdhëniet greko-shqiptare”, tha Mitsotakis.

Mitsotakis dërgoi mesazhin e qartë se çështja ‘Beleri” është e lidhur drejtpërdrejt me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.

“Zgjidhja e çështjes është një kusht i domosdoshëm që Greqia të ndërmarrë hapin e radhës dhe të pranojë nisjen e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në ”, vuri në dukje kryeministri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve menjëherë më pas, ai tha se do të kërkonte ta diskutonte këtë çështje me kryeministrin shqiptar Edi Rama. “Qëndrimi ynë është i qartë. Unë nuk kam ndërmend të ndërhyj në proceset e drejtësisë së pavarur shqiptare, por Fredi Beleri ka të drejtë të betohet edhe kur është në paraburgim, gjë që do t’ia bëj të qartë edhe zotit Rama. Shpresoj se do të arrijmë ta zgjidhim çështjen”, tha ai, raporton Kathimerini.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme