Berisha përshëndet Samitin/ Prania sot e liderëve të BE është një garanci më shumë për shqiptarët dhe popullin opozitar

Politikë | 3 vite më parë

Kreu i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha, përmes një deklarate përshëndeti zhvillimin e samitit të liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Ish- Kryeministri Berisha, theksoi se Partia Demokratike mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e integrimit në BE, ndërsa shtoi se zhvillimi i këtij samiti te Piramida, “varros” projektin e Ballkanit të Hapur.

“PD, si lokomotivë e proceseve integruese euroatlantike, garanton pjesëmarrësit e këtij samiti se ajo mbetet e vendosur, e përkushtuar me programin e saj, të bëjë gjithçka për të avancuar procesin e rëndësishëm të integrimit në BE si e ardhmja më e mirë e shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë, në paqe, begati dhe zhvillim”, vijoi Berisha.

Sipas tij, vonesat në rrugën e integrimit drejt BE janë për faj të regjimeve autokratike në rajon.

Berisha  thekson se nga “samiti i Selanikut gjer sot, kanë kaluar 20 vite, por mjerisht vetëm një vend i rajonit nga ajo kohë, është sot anëtar i plotë i Bashkimit Evropian, Kroacia. Dhe kjo, absolutisht jo se ka munguar predispozita apo dëshira e BE për integrimin e këtyre vendeve, por sepse 10 vitet e fundit, procesi i integrimit për shkak të regjimeve autokratike të instaluara në disa vende të këtij rajoni, u shndërrua në një horizont që largohej gjithnjë e më shumë”.

Prania sot e liderëve të BE është një garanci më shumë për shqiptarët dhe popullin opozitar se asnjë lloj fasade e Edi Ramës nuk do mund të pengojë ata të shohin muret që Edi Rama ka ngritur dhe që ndajnë Tiranën me Brukselin. Të shohin murin e kleptokracisë dhe korrupsionit, murin e drogës dhe krimit të organizuar, murin e varfërisë dhe mjerimit, murin e monizmit thuaj të plotë dhe luftës antikushtetuese, antiligjore ndaj opozitës,” tha Berisha.

/rtsh.al


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme