Tensionet Prishtinë-Beograd/ Hasani: Dialogu, rruga drejt paqes. Varhei: Autoritetet serbe të bashkëpunojnë

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka deklaruar se Shqipëria pret nga Kosova kryerjen e një hetimi serioz për grupin kriminal terrorisit që hapi zjarr mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë.
Hasani u shpreh se në situatën e tensionuar mes dy vendeve, rruga drejt paqes, është dialogu mes Kosovës e Serbisë.
Dhe kjo sipas Ministrit të Jashtëm, arrihet përmes njohjes reciproke mes dy vendeve, anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe trajtimit të drejtë të pakicave bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Ka ndodhur një sulm terrorist kriminal në veri të Kosovës që kushdo që do mbante te detyrën time do reagonte në të njëjtën mënyrë. Qëndrimi ynë ndaj procesit të dialogut të normalizimit, mbetet i pandryshuar dhe është në harmoni të plotë me atë të BE-së e SHBA-së.
Ne kemi kërkuar zyrtarisht në instancat më të larta të komunitetit euro-atlantik se formati i këtij dialogu duhet ngritur në nivelin e një konference normalizimi me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në tryezën e diskutimeve.
Presim që Serbia të nisë hetim serioz për grupin kriminal terrorist, potencialisht të përfshirë në konfliktin e armatosur. Por sidomos në situatën e tanishme, dialogu Kosovë-Serbi, është rruga e vetme drejt paqes.
Njohja reciproke mes dy vendeve, anëtarësimi I Kosovës në Kombet e bashkuara dhe trajtimin e drejtë të pakicave bazuar në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, u shpreh ministri Hasani.
Komisioneri europian Zgjerimin, Oliver Varhei (Oliver Varhely) po ashtu u shpreh se nevojitet një shtensionim i situatës mes Prishtinës e Beogradit. Ai deklaroi se autorët e terrorit të 24 shtatorit në veri, duhet të dalin para drejtësisë dhe se autoritetet serbe duhet të bashkëpunojnë në lidhje me këtë çështje.
“Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë. Së pari ne duhet të kemi një shtensionim të plotë mes Prishtinës dhe Beogradit, së dyti duhet të rikthehet dialogu dhe të jepen rezultate duke vënë në zbatim të gjitha marrëveshjet e mëparshme, përfshirë ato në Ohër. Së treti, të gjithë autorët duhet të dalin para drejtësisë, dhe drejtësia jo vetëm që duhet të flasë, autoritete serbe duhet që të bashkëpunojnë me ne në lidhje me këtë çështje. Kjo besoj se është gjuhë e qartë”, deklaroi Varhei.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




