Korça, tradita e punimit të lëkurës trashëgohet ndër breza, Spiro Shaka e kthen atë në biznes
Tradita familjare e punimit të lëkurës është kthyer në një sipërmarrje të re në qytetin e Korçës. I rritur në një familje që prej vitesh është marrë me këtë zanat, 28-vjeçari Spiro Shaka ka zgjedhur të mos e lërë këtë traditë të shuhet, por ta vazhdojë atë përmes një dyqani ku ofron kryesisht çanta lëkure, si dhe aksesorë të ndryshëm, mes të cilëve rripa, kuleta e një koleksion të vogël këpucësh.
Për të, kjo sipërmarrje nuk është thjesht një aktivitet tregtar, por një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë familjare dhe për t’i dhënë asaj një dimension të ri, duke iu përshtatur kërkesave të tregut dhe shijeve të konsumatorëve.
“Ky profesion ka nisur që herët, që kur kam qenë fëmijë i vogël. E kam trashëguar nga babai dhe familja ime, të cilët kanë punuar në sektorin e lëkurës prej më shumë se 20 vitesh. I shtyrë nga pasioni që në fëmijëri, fillova të vëzhgoja mënyrën se si punonte babai im. Me kalimin e kohës, ky pasion u ushqye dita-ditës dhe sot kam dyqanin tim, ku përpunoj lëkurën dhe prodhoj artikuj të ndryshëm, si çanta, riparime dhe aksesorë të ndryshëm”, tha artizani Shaka.
Në një kohë kur shumë të rinj zgjedhin të largohen për mundësi më të mira punësimi, Shaka vjen si një shembull i investimit dhe besimit te mundësitë që ofron vendi ynë.
“Mesazhi që do t’u jepja të rinjve është të qëndrojnë në qytetin e tyre dhe të investojnë aty”, tha ai.
Një histori që dëshmon se tradita, kur ndërthuret me iniciativën dhe dëshirën për të ecur përpara, mund të kthehet në një mundësi të qëndrueshme zhvillimi.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




