Caka, kërkesë Bashkisë së Tiranës: Si është situata në çerdhe e kopshte?

Politikë | 3 vite më parë

Anëtarja e këshillit bashkiak të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Silva Caka u shpreh sot në deklaratë për mediat se, prindërit në kryeqytet janë të shqetësuar për procesin e aplikimit dhe pranimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Caka ka kërkuar sot informacion për situatën në çerdhe e kopshte nga  Bashkia e Tiranës.

Nëpërmjet një kërkese të firmosur nga anëtarët e këshillit bashkiak të kësaj force politike, Caka, deklaroi se i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës, ku i kërkojnë informacion lidhur me aplikimet në çerdhe e kopshte, pranimet, grupet, institucionet dhe numrin e fëmijëve dhe edukatoreve.

“Shqetësimi më i madh lidhet me refuzimin e regjistrimit të fëmijëve në këto institucione, duke i detyruar prindërit të regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe apo kopshte private, ku pagesa mujore varion 5-10 fish më shtrenjtë se në ato publike”, u shpreh Caka.

Kjo është një kosto shumë e lartë, tha ajo, sidomos për një familje të re, e cila përballet çdo ditë me kostot e shtuara të jetesës në Tiranë, apo për familjet që kanë 2 apo më shumë fëmijë.

Një tjetër shqetësim sipas këshilltares Caka, është dhe ai i ardhur nga prindërit që kanë pasur fat me regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike, është ai i mbingarkesës me fëmijë, për hapësirat që ofrojnë kopshtet apo çerdhet, duke bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit mësimor.

Për këto arsye, vijon Caka, “bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, i drejtohemi Bashkisë së Tiranës, ku i kërkojmë informacion lidhur me: 1. Sa aplikime janë paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, për regjistrime në çerdhe dhe kopshte në Qershor dhe Shtator 2023? 2. Sa nga këto aplikime janë pranuar për t’u regjistruar? 3. Sa çerdhe dhe kopshte janë funksionale në të gjithë territorin e Bashkisë së Tiranës? 4. Sa grupe janë në çdo çerdhe dhe kopsht të territorit të Bashkisë së Tiranës? 5. Sa fëmijë janë në çdo grup dhe a respektohet hapësira 2 m²/ fëmijë në çdo çerdhe dhe kopsht?
6. Sa edukatore dhe sa ndihmëse janë për çdo grup?

“Këto pyetje kanë për qëllim të informojnë të gjithë prindërit mbi situatën e çerdheve dhe kopshteve në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se janë pikërisht ata që paguajnë taksa të shumta, që fëmijët e tyre të kenë një trajtim dinjitoz dhe brenda standardeve europiane, për sa i përket hapësirave, zhvillimit të procesit mësimor, ushqyerjes dhe marrjes së çdo shërbimi tjetër të nevojshëm për fëmijën”, u shpreh në konferencë Caka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme