Zgjedhjet e 14 majit/ Berisha: Do kërkojmë ngritjen e një komisioni hetimor për farsën elektorale

Politikë | 3 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një mbledhje me deputetët mbështetës të tij këtë të mërkurë (24 maj), ku ka deklaruar se do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet elektorale të 14 majit.

Teksa akuzon partinë socialiste për blerje votash, Berisha tha se ata po përgatisin një raport për parregullsitë që janë evidentuar, sipas tyre, gjatë fushatës elektorale.

“Të dashur deputetë, duhet me urgjencë të përgatisim kërkesën për komision hetimor parlamentar për këtë farsë, më e turpshmja elektorale në historinë e Europës. Ne po përgatisim raportin. Bota e krimit u vërsul e tëra kundër nesh. U sollën bandat nga Dubai sepse i mungonin Durrësit, Lushnjes. U liruan nga burgu të tjerë. U përdor vota e të burgosurve për të marrë mandate. Burgje që votonin 100 përqind, njëlloj si në diktaturë për qeverinë. Nuk kishte ndodhur kurrë. Në burgun e grave në Tiranë, 45 vota për hajdutin Erion Veliaj dhe vetëm vota e vëzhguesit për Belind Këlliçin. Ulsi Manja është një kriminel i pakorrigjueshëm elektoral. Ai ka përdorur administratën e burgut për të terrorizuar të burgosur. Të burgosurit për krime të rënda janë kërcënuar se në rast se nuk bindin, nuk garantojnë kaq vota në burg, do transferohen në regjim special”, tha Berisha.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” arriti të marrë vetëm 7 bashki në zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërsa Partia Socialiste korri fitoren në 53 bashki.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme