Zgjedhjet e 14 majit/ Berisha: Kemi ngritur një komision për të denoncuar krimin elektoral

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të kundërshtojë rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku PS mori 53 bashki, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” arriti të fitojë në vetëm 7 bashki.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e konsideroi 14 majin si “masakër zgjedhore”, ndërsa akuzoi Partinë Socialiste se ka bashkëpunuar me bandat kriminale në vend për të “terrorizuar qytetarët”.
Ai theksoi se është ngritur një komision që po punon për grumbullimin e fakteve, sipas Berishës, për të denoncuar krimin elektoral.
“Dokumentet, dëshmitë, fotografive, filmimet, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjet brutale, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës në kontrollin e votës së zgjedhësve shqiptarë.
Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra-tjetrës, të urdhëruara nga kryekumbara Edi Rama.
Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit. Por bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë.
Inxhinierë, drejtorë, punonjës, kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin: votën ose jetën!
Delinkuentë të dënuar rëndë në vendet përreth si përdhunues kanë shoqëruar deputetë të PS dhe janë vendosur numërues, në Devoll për shembull.
Në burgun e grave në Tiranë është votuar 100 përqind për Erion Veliajn. Vetëm një person, dhe ai ishte vëzhguesi, ka arritur të votojë ndryshe.
Në qendrat e tjera, qytetarët janë detyruar të mos futen fare në dhomën e fshehtë sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisioneri.
Këto janë vetëm disa nga rastet e panumërta që dëshmojnë dhunimin flagrant të të drejtës së qytetarëve shqiptarë në këtë proces farsë elektorale.
Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata, drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 maj 2023.
Sikundër shtoj se shqyrtimi i thelluar i këtij megakrimi kërkon kohën e duhur dhe qytetarët do ta marrin vesh në çdo hollësi dhe në çdo detaj, pasi është një material shumë, shumë voluminoz që duhet të trajtohet me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




