Fitorja në zgjedhje, Rama falënderon qytetarët në Mat dhe Klos: Mbështetjen do jua kthejmë në punë të mira

Politikë | 3 vite më parë

Pas fitores në zgjedhjet vendore të 14 majit, kreu i Partisë Socialiste, njëherazi edhe kryeministri i vendit, ka nisur një tur falënderimesh në bashkitë ku i besuan votën.

Pasditen e kësaj të hëne (22 maj), Rama u ndal në bashkitë Mat e Klos, ku i premtoi qytetarëve se votën që ata i besuan, kandidatët socialistë do tja kthejnë në investime për komunitetin.

“Këtë investim në mbështetje do t’jua kthejmë në punë të mira për komunitetin. Shumëkush mendon se vota nuk ja vlen, politika është njësoj dhe asgjë nuk ndryshon, por kushdo që do të kuptojë duke parë me sytë e tij, i ka mundësitë për të kuptuar se e kundërta është e vërtetë. Politika dhe vota vlen dhe nuk janë të gjithë njësoj se po të ishte kështu kurrë asgjë nuk do ndryshonte. Gjërat kanë ndryshuar dhe në këtë votë kaq plebishitare për PS është dhe konfirmimi i ndryshimit dhe në këtë votë ka dhe një pritshmëri të madhe prej nesh gjë që ne na nderon. Kjo pritshmëri është provë e rëndësishme e faktit që ne mund dhe do vazhdojmë të ushqejmë shpresën dhe t’i përgjigjemi shpresës së njerëzve edhe me më shumë punë dhe angazhim. Ndryshimet që kanë ndodhur mjaftojnë për të parë sa shumë rrugë kemi bërë, por të pamjaftueshme për të ndalur dhe për të qenë të kënaqur. Çfarë ne duhet të bëjmë është ende shumë akoma”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, me rëndësi është edhe që komunikimi me njerëzit të kalojë në një tjetër nivel, teksa theksoi se do të merren iniciativa konkrete për të bërë bashki më të hapura, por pa specifikuar se çfarë nismash do merren konkretisht.

“Ajo që duhet bërë është që ta çojmë në një nivel tjetër komunikimin me njerëzit. Do marrim iniciativa konkrete për të bërë bashki më të hapura, për të patur më shumë komunitet me qytetarët. Duhet të jemi të drejtpërdrejtë çfarë mund të bëhet dhe çfarë jo. Sa më të hapur e të drejtpërdrejtë të jemi, aq më shumë do të krijojmë sensin e një familje”, tha Rama.

Në Mat, kandidati socialist Agron Malaj fitoi garën elektorale të 14 majit, duke mundur kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Skënder Gjuci. Po ashtu edhe në Klos fitoi kandidatja socialiste, Valbona Kola, e cila mori 56.07% të votave, në krahasim me 43.93% që mori kandidati i koalicionit “bashkë Fitojmë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme